english site map home
 
- AH në Media
- Buletinet Mujore
- Sondazhet Javore
- Pyetje e Përgjigje
- Së Shpejti në AH
- Galeria e Fotove
- Letra nga Pacientët
- Histori Suksesi
- Informim
- Publikime
- Lajme Vital
 
Spitali Amerikan në Shtyp

Doktor, më bëj të bukur!
Kirurgjia plastike
Sikur ta kisha hundën më të drejtë, gjoksin më të madh, vetullën më të ngritur, lëkurën më të shtrirë... Mund ta kesh çdo gjë të përsosur, falë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjafton të marrësh vendimin për t’iu drejtuar një kirurgu estetik. E dimë që nuk është e thjeshtë, ndaj po jua lehtësojmë punën 

Të gjitha pyetjet që ju lindin para se të gjendeni përballë një kirurgu estetik, çdo gjë që nuk e keni të qartë lidhur me ndryshimet që ndodhin në trupin tuaj pas një operacioni dhe çdo pyetje tjetër që do t’ia kishit bërë një mjeku para se t’i nënshtroheni bisturisë së tij. Kemi biseduar ne në vendin tuaj, me kirurgun estetik, Primar i Kirurgjisë Estetike në Spitalin Amerikan, Op. Dr. Hakan Gundogan dhe ju kemi dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve tuaja.

Nëse një vajzë ka një problem dhe dëshiron ta zgjidhë nëpërmjet kirurgjisë estetike, ç’duhet të bëjë dhe ku duhet të drejtohet? 
Një pacient qoftë ky mashkull apo femër, që para se të drejtohet të mjeku kirurg estetik duhet të ketë të qartë se çfarë e shqetëson në pamjen e tij, përse mendon se ka nevojë për një ndërhyrje dhe çfarë pret nga kjo ndërhyrje. Hapi tjetër është që t’i ndajë këto shqetësime me kirurgun. 

Takimi i parë me mjekun. Është e nevojshme që të shkojë e përgatitur, me ide të qarta, apo duhet t’i lërë në dorë mjekut që të gjykojë se ç’duhet bërë?
Kirurgët estetikë quhen shpesh edhe “psikiatër me bisturi” dhe janë mjekë me eksperiencë jo vetëm në fushën e tyre, por edhe në të kuptuarit e problemit që pacienti paraqet në vlerësimin e problematikës dhe në dhënien e zgjidhjes më të mirë. 
Është e rëndësishme që pacientja të pyesë mjekun për çdo detaj që ka të bëjë me operacionin dhe të ndajë me të gjithë pritshmërinë që ajo ka. 

Ekziston një raport i drejtë mes kostos së një ndërhyrjeje dhe aftësisë së kirurgut? Për të qenë më të qartë: kushton më shumë se zakonisht kur një kirurg është më i mirë se të tjerët, apo ka faktorë të tjerë, përveç aftësisë së një kirurgu, që ndikojnë në çmimin e ndërhyrjes?
Ka shumë faktorë që përcaktojnë çmimin e një operacioni. Përmasat dhe kohëzgjatja që pritet të ketë operacioni si dhe instrumentet që përdoren janë përcaktuese në kosto. Ndërkohë çmimi që çdo mjek apo spital vendos për një ndërhyrje të caktuar pasqyron në një farë mënyre vlerën e punës së tij. Rrjedhimisht puna e një mjeku me më shumë eksperiencë e reputacion sikundër shërbimi i një spitali të afirmuar është relativisht më i kushtueshëm. Megjithatë, nuk duhet të jetë çmimi i një ndërhyrjeje shtysë për të zgjedhur një mjek apo një tjetër, por besimi që pacienti ka krijuar ndaj mjekut dhe punës së tij. 

Nëse një shoqja ime ka qenë e kënaqur nga rezultati falë ndërhyrjes së një kirurgu estetik, është e sigurt se edhe unë mund të drejtohem tek i njëjti kirurg për problemin tim? Si mund ta kuptoj se mjeku që kam përballë mund të më zgjidhë rastin tim? 
Duke pasur parasysh se po secili prej nesh ka një individualitet, pra një fytyrë dhe trup unik, që nuk ngjason me asnjë tjetër edhe ndërhyrja estetike që do t’i aplikohet secilës fytyre duhet të projektohet në mënyrë të veçantë për secilin. Sikundër një veshje e qepur enkas për dikë nuk do të qëndronte po aq bukur në një trup tjetër, edhe një operacion në hundë nuk do të rezultojë njëlloj i kënaqshëm nëse aplikohet njëlloj në dy hundë të ndryshme. Për këtë arsye çdo ndërhyrje skicohet me shumë kujdes sipas fytyrës apo trupit ku do të aplikohet. Por megjithatë gjithmonë ndërhyrjet e suksesshme janë një provë e mirë për mjekun kirurg dhe besueshmërinë e tij.

Ndërhyrjet që nuk kanë nevojë për bisturi, si për shembull injektimi i Botox-it, është normale që të kryhen edhe nëpër qendra estetike?
Për të qenë shumë i sinqertë, më duhet të them se nuk është aspak e drejtë. Për vetë faktin se megjithëse Botox-i duket si një injektim i thjeshtë i një substance, procedura ka nevojë për një njohuri të thellë të anatomisë së fytyrës. Injektimet e Botox-it mund të shkaktojnë nga humbje të shprehisë së fytyrës deri në paraliza, që megjithëse kalimtare, shpesh lënë edhe pasoja permanente. Kjo procedurë që duket si një injeksion i thjeshtë mund të ketë pasoja katastrofike, si humbja e shikimit nëse nuk bëhet nga një dorë e sigurt. Ajo që do t’u këshilloja lexuesve është që thesarin e tyre të çmuar, fytyrën, t’ua besojnë vetëm duarve të ekspertëve. 

Nëse bëj një ndërhyrje në hundë, sa kohë më duhet të qëndroj në spital?
Pas një ndërhyrjeje të bërë për herë të parë në hundë, pacienti nuk ka nevojë të qëndrojë në spital, por mund të shkojë në shtëpi që ditën e parë. Megjithatë, ata kanë dëshirë mund të qëndrojnë ditën e parë nën mbikëqyrjen tonë. 

Pas operacionit është e sigurt që rezultati do të jetë ashtu siç unë e kam dëshiruar?
Në jetë nuk na jepet garanci absolute për asgjë. Por garancia e kënaqësisë së pacientes arrihet mes bisedave shumë të detajuara që ajo ka bërë me mjekun para ndërhyrjes. Sa më e vetëdijshme dhe e gatshme për ndërhyrjen të jete pacientja, aq më e kënaqur nga rezultati do të jetë ajo. Nuk ka asnjë arsye për të mos qenë. Nëse ndodh një gjë e tillë, arsyeja është vetëm mungesa e komunikimit mes saj dhe mjekut. Por patjetër që duhet të kemi parasysh se çdo ndërhyrje ka specifikat e veta. 

Për sa kohë do më ngelen shenja të dukshme?
Në fakt për gjithë jetën. Po ju shpjegoj se ç’dua të them. Çdo prerje sado e vogël që bëhet në trupin tonë mbetet aty përgjithmonë. Prandaj ekzistojnë kirurgët estetikë; që ta bëjnë këtë shenjë sa më pak të dukshme. Një ndërhyrje e bërë me kujdesin maksimal nga mjeku estetik do të jetë e padukshme për një sy të thjeshtë por të mos harrojmë që ka edhe faktorë që ndikojnë në dukshmërinë e prerjes. Për shembull Të qenit duhanpirës ose jo është një prej tyre.  

Sa i rrezikshëm është një operacion plastik? Çfarë efektesh anësore mund të ketë? 
Duke qenë se pacientët e kirurgjisë estetike u përkasin kryesisht grupmoshave të reja dhe pa probleme shëndetësore, ndërhyrjet që ne bëjmë mbartin më pak rrezikshmëri se ndërhyrjet e tjera kirurgjikale. Sigurisht që ekzaminimi paraprak gjatë përzgjedhjes së pacientes ose pacientit është shumë i rëndësishëm. Operacionet e kirurgjisë estetike kanë avantazhin e të qenit ndërhyrje jo shumë të thella dhe kryesisht pranë lëkurës, duke mos krijuar kështu nevojën për anestezi të thellë dhe duke lejuar reanimimin e pacient për një kohë të shkurtër pas operacionit. 

Është e vërtetë se ndonjëherë duhen më shumë sesa një ndërhyrje për të marrë rezultatin dëshiruar?
Jo vetëm kirurgu estetik, por secili mjek do të donte që me një ndërhyrje të vetme t’i ofrojë rezultatin më të mirë pacientit të tij, por nganjëherë ka korrigjime që kërkojnë më shumë se një operacion. Kështu për shembull ka probleme të hundës që pas operacionit të parë kërkojnë edhe një tjetër të dytë për të përfunduar korrigjimin ose lifting i fytyrës që e ka jetëgjatësinë 10-15 vjet mund të nevojitet të ribëhet pas kësaj kohe. Ndërkohë ka operacione si lifting i ballit që nuk ka nevojë për një të dytë gjatë gjithë jetës. 

Mund të bëhen dy ndërhyrje në të njëjtën kohë? Për shembull edhe në hundë edhe në vesh, ose në gjoks? 
I bëjmë shpesh këto kombinime, sidomos në ndërhyrjet në fytyrë. Kirurgët plastikë e marrin në vlerësim fytyrën në tërësi dhe jo organet një nga një. Për shembull, për një profil më të bukur dhe estetik, korrigjimin e hundës e shoqërojmë shpesh edhe me një ndërhyrje të lehtë me protezë në mjekër. Në të njëjtën mënyrë shoqërojmë ndërhyrjet në veshë apo hundë me korrigjimet e kapakëve të syve ose me liposuction. Shumë shpesh shoqërohet me zmadhim të gjirit në të njëjtën seancë. Në të gjitha kombinimet merret parasysh gjendja shëndetësore e pacientes dhe kohëzgjatja e secilës ndërhyrje. Ndërhyrjet që kërkojnë disa orë secila zakonisht bëhen në seanca të ndryshme për të evituar lodhjen e kirurgut, por në radhe të parë për t’i dhënë pacientit rezultatin më të mirë. 

Çfarë shërbimesh të kirurgjisë estetike ofrohen në American Hospital?
Të gjitha ndërhyrjet që klinikat më prestigjioze në botë ofrojnë në fushën e kirurgjisë plastike dhe estetike.

Çfarë problematikash shfaqin kryesisht femrat shqiptare për sa i përket kirurgjisë plastike dhe estetike?
Kam konstatuar se problemet estetike të grave janë shumë të ngjashme në gjithë vendet e Mesdheut. Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por mund të them se nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu ka një kërkesë në rritje për rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it. 

Ç’të reja do të sjellë ekipi juaj për sa i përket kirurgjisë estetike?
Bashkë me ekipin tim do të aplikojmë në mënyrën më të mirë te pacientët shqiptarë eksperiencën tonë disavjeçare të marrë në Amerikë, Turqi dhe Tajvan. 

A mund të themi se çdo problematikë e kirurgjisë estetike mund të trajtohet tashmë brenda vendit pa pasur nevojën të bëhen shpenzime të mëdha jashtë Shqipërisë?
Nuk shoh asnjë arsye për të kërkuar mundësitë e një operacioni estetik jashtë Shqipërisë. Ekipi ynë është i lumtur t’i përkushtohet pacientëve këtu në Spitalin Amerikan dhe për më tepër është shumë e rëndësishme që do të kenë pranë mjekun në fazën pre dhe post operatore dhe do të kenë këshillën e tij sa herë t’u nevojitet.

Burimi: Revista "Jeta", Nëntor 2008

Check-up, diagnostifikimi që parandalon sëmundjet
Ornela Doçi, mjeke gjenetiste, drejtore e Marrëdhënieve me Pacientin në “American Hospital”

Ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të kujdesen për shëndetin e tyre. Është e vërtetë që ekziston një mosbesim tek mjekët dhe një dyshim abuzimi, por kësaj nuk i duhet shtuar akoma më shumë doza duke neglizhuar shëndetin e tyre. Prej disa vitesh institucione shëndetësore prestigjioze që operojnë në vendin tonë, po tentojnë të implementojnë një kulturë të re shëndetësore, pjesë e së cilës është edhe thënia tejet e vjetruar, por asnjëherë e dalë jashtë mode: “Më mirë të parandalosh sesa të kurosh”. Check-up apo kontroll i përgjithshëm për të gjithë trupin, është një diagnostifikim që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Në një intervistë për “standard” Ornela Doçi, drejtore e Marrëdhënieve me Pacientin në “American Hospital”, shpjegon diçka më shumë mbi paketat check-up dhe rëndësinë e kryerjes së herëpashershme të këtij diagnostifikimi.

“Paketa check-up ka një aspekt të fortë social që do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për rreziqet që i presin nëse nuk diagnostifikojnë dhe parandalojnë në kohë sëmundjet që shtohen dita ditës nga stresi, ndotja e ambientit, kequshqyerja, abuzimi me alkoolin e duhanin, dukuri këto shumë problematikë për shoqërinë tonë”, - shprehet dr. Doçi. 

Çfarë është një “check-up” dhe si janë përgatitur këto programe të kontrollit të përgjithshëm? A mund të na thoni diçka më shumë? 
Vende më të zhvilluara se ne, duke u bazuar në diagnostikimin dhe kurimin e hershëm kanë arritur të ulin ndjeshëm numrin e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të rëndësishme si diabeti, sëmundje të arterieve koronare, kancer të ndryshëm etj. Spitali Amerikan është një institucion që përveç kurimit me metodat më të reja dhe gjithë mundësitë që mjekësia moderne ofron, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë mjekësisë parandaluese. Nga rreth 9000 pacientë ambulatorë dhe të shtruar që ne kemi pasur deri tani, me keqardhje kemi konstatuar se pacientët paraqiten tek mjeku vetëm atëherë kur sëmundja e ka treguar veten me gjithë simptomat e saj. Sigurisht në këtë fazë kurimi bëhet akoma më i vështirë dhe jo rrallë edhe i pamundur. Mund të përmendim këtu kancerin e gjirit që nëse diagnostikohet në fazat e tij fillestare kurohet me sukses në shumicën e rasteve, por nëse lihet pas dore arrin në faza të avancuara dhe pacientes i kushton edhe jetën.

Pikërisht për këtë arsye ne kemi hartuar programet check-up. 

Check-up ose i shpjeguar ndryshe në shqip si kontroll mjekësor periodik është një paketë ekzaminimesh laboratorike dhe imazherike që kryhen për identifikimin dhe parandalimin në një stad ende jo të avancuar të sëmundjeve të ndryshme. 

Çfarë përmbajnë paketat check-up, për kë janë hartuar dhe në sa kohë duhen përsëritur? 
Pothuaj çdo çrregullim shëndetësor që do të gjenerojë më vonë në një sëmundje, shfaqet në rezultatet e check-up-it si prishje e ekuilibrave biokimike. Për të kapur herët këto çrregullime të organizmit duhet që të gjithë të kontrollohemi të paktën një herë në vit. Te personat me moshë mbi mesataren dhe ata me histori familjare për një sëmundje të caktuar, ky grup ekzaminimesh duhet kryer çdo gjashtë muaj. Në Spitalin Amerikan, programet e kontrollit periodik janë të ndryshme për fëmijë, të rinj, gra mbi 40 vjeç, burra mbi 40 vjeç, për gra shtatzëna, për pacientë diabetikë dhe pacientë kardiakë. Në secilën prej këtyre programeve ka ekzaminime që janë shumë të rëndësishme dhe domethënëse për grupe të caktuara pacientësh. 

Nga këto mund të përmendim echo-n e gjirit dhe markerin e tumoreve të vezoreve CA125 për gratë mbi 40 vjeç, analiza e urinës komplet për diagnostikimin e patologjive të sistemit renal dhe markerat tumoral Free PSA/PSA tek meshkujt mbi 40 vjeç, lipidograma në mosha mbi mesataren dhe pacientë kardiakë, radiografia për grupin e duhan pirëseve etj. 

Përveç këtyre, spitali ynë do i kushtojë një rëndësi të veçantë depistimit për Hepatitin B duke pasur parasysh përqindjen e lartë të mbartësve të këtij virusi dhe mënyrën e transmetimit të tij nëpërmjet rrugëve të gjakut dhe seksuale si edhe mundësinë që ekziston sot për t’u vaksinuar dhe mbrojtur nga kjo sëmundje që jo rralle ka pasoja fatale. 

Check-up ka një rëndësi të veçantë për personat me një histori familjare për një sëmundje të caktuar, pra nëse mbartin faktorë rreziku për këtë sëmundje. 

Ankesat e pacientit, historiku personal dhe familjar, mënyra e jetesës, ushqyerjes dhe aktivitetit fizik janë shumë domethënëse në përcaktimin e një diagnoze të saktë. 

Vizita e mjekut, ekzaminimet imazherike radiologjike dhe imazherike të avancuara si ultrasonografia dhe tomografia bashkë me analizat e detajuara të gjakut e urinës plotësojnë një paketë të plotë check-up-i.

A është e mundur që me anë të këtyre ekzaminimeve të diagnostikohen hipertensioni, sëmundje të zemrës, diabet etj.? Çfarë këshillash paraprake duhet të kenë parasysh ata që paraqiten për check-up? 
Sot, në sajë të avancimit të mundësive që mjekësia ofron, me diagnostikimin e hershëm nëpërmjet check-up-eve të rregullta arrihet të parandalohen dhe kurohen një numër i madh sëmundjesh si diabeti, sëmundje të arterieve koronare, dislipidemia që është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të arterieve, sëmundje pulmonare, sëmundje të mëlçisë të shkaktuara nga hepatiti ose alkooli, tipe të ndryshme të anemisë, kancer të gjirit, uterusit, prostatit, aparatit tretës ose pankreasit, osteoporoza etj. 

Sidomos gjatë verës rritet ndjeshëm numri i pacientëve, kryesisht i moshave të thyera, që paraqiten në spitalin tonë me shqetësime të zemrës, me probleme të hipertensionit, diabetit etj. Sigurisht që do të ishte shumë më mirë nëse, pa pritur shqetësimet, ti ishin nënshtruar një kontrolli periodik të përgjithshëm që do ti ndihmonte në paraprirjen e problemeve. 

Kini parasysh se para se të paraqiteni për një check-up duhet paraprakisht të merrni një takim me mjeken patologe dhe ditën e kontrollit duhet të paraqiteni në klinikë herët në mëngjes pa ngrënë dhe pa pirë asgjë dhe të sillni me vete rezultate të kontrolleve të mëparshme nëse dispononi. 

Gratë shtatzëna duhet patjetër ta vënë në dijeni mjekun për shtatzëninë e tyre para se të fillojnë procedurën e check-up-it. Personi që vjen për check-up duhet të vishet lehtë, me rroba të rehatshme dhe që ti lejojnë lëvizshmëri në rast prove ushtrimore, EKG, echo etj. dhe nëse është duke përdorur medikamente për trajtim kardiak apo hipertensiv duhet që mjeku që do të ndjekë check-up-in të vihet në dijeni që në marrjen e takimit. 

Rekomandohet që check-up të mos bëhet në periudha kur organizmi pëson ndryshime si p.sh. gjatë ciklit të menstruacioneve, në gjendje gripale etj.

Shumica e shqiptarëve kanë frikë nga mjeku dhe ekziston mendimi se po shkove tek mjeku, të japin domosdoshmërisht mjekim, gjë që shihet me dyshim. Cili do të ishte këndvështrimi juaj për këtë? 
Qëllimi ynë është të jemi themelues të një mentaliteti ndryshe dhe besoj mijëra pacientë që kanë marrë shërbim nga spitali ynë në këto dy vite punë, e vërtetojnë këtë. Jemi të parët që i kemi kushtuar rëndësi informacionit të gjithsecilit për grupin e gjakut dhe kemi pajisur pacientët tanë me kartën personale të grupit të gjakut. 

Një rëndësi të veçantë i kemi dhënë depistimit për Hepatitin B duke theksuar rëndësinë e vaksinimit për këtë virus. Edhe kjo ndërmarrje e jona për paketat e check-up ka një aspekt të fortë social që do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për rreziqet që i presin nëse nuk diagnostifikojnë dhe parandalojnë në kohë sëmundjet që shtohen dita ditës nga stresi, ndotja e ambientit, kequshqyerja, abuzimi me alkoolin e duhanin, dukuri këto shumë problematikë për shoqërinë tonë.

Burimi: Gazeta Standard, 16/11/2008

2009, SPITALI AMERIKAN DO TË KRYEJË TRANSPLANTIMIN E MËLÇISË
Fondi amerikan "Bedminister" do të shtrijë investimin shëndetësor në qytete të tjera dhe Kosovë 

Fondi i investimeve Bedminster Capital Management, me qendër në Nju Jork dhe zotërues të investimit më të madh shëndetësor privat në Shqipëri, prezanton projekte të reja në muajt në vazhdim.

Në një takim, organizuar kohët e fundit, drejtori i këtij spitali, ka deklaruar se në ambiciet kryesore të investimit amerikan në Shqipëri është zgjerimi i aktivitetit dhe njëkohësisht edhe kryerja e transplantimit të mëlçisë. "Disa nga projektet e spitalit amerikan për fillimin e 2009 janë, hapja e një spitali të dytë në Tiranë, të fokusuar kryesisht në obstetrikë, gjinekologji, lindje dhe fertilizim in vitro", tha drejtori i këtij spitali, Klodjan Allajbeu. Sipas tij, po ashtu në projektet dhe investimet në të ardhmen janë ndërtimi i qendrave në Fier, Durrës, Korçë, Elbasan e Shkodër, transplantimi i parë i mëlçisë. Laboratori i parë i gjenetikës dhe diagnostikimit prenatal, si dhe hapja e një spitali me përmasat e qendrës së Tiranës, janë prioritetet e investimit amerikan. Deri tani, në këtë spital raportohet të jetë bërë një investim që kap shifrën e 12 milionë eurove. Janë punësuar rreth 200 punonjës, mjekë, infermierë dhe personel ndihmës mjekësor dhe administrativ. Spitali u hap në janar të 2007-ës, si qendër e parë private me shtretër në vendin tonë. Ky spital u hap me një vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, investimi privat shëndetësor do të ishte për ndërtimin e një qendre spitalore me një kontratë afatgjatë, ambiente me rreth 17 mijë m2 tokë dhe ndërtesa, të cilat ishin në gjendje jo funksionale.

Sipas drejtuesve të spitalit, shumë shpejt qendra do të pajiset me certifikatën e akreditimit ndërkombëtar "Joint Commission International". Një prej arritjeve të kardiologëve të këtij spitali ishte realizimi për herë të parë në Shqipëri i koronarografisë dhe revaskularizimit të arterieve koronare në gjendje akute të infarktit të miokardit.

DUHANI! JU MUND TA LINI ATË
Fushatë sensibilizuese nga American Hospital

E pyetur për fushatën e sensibilizimit kundër duhanit, që Spitali Amerikan i Tiranës ka filluar para pak ditësh, Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun, Ornela Doçi, na tërheq vëmendjen në radhë të parë në dëmet e duhanit.

Varësia ndaj duhanit është helmimi më vdekjeprurës për shoqërinë. 

Vdekja vjen si pasojë e sëmundjeve që shkakton duhani. 

Nikotina është përbërësi që krijon varësinë e personit nga duhani. Kjo është një substancë alkaloid helmues, i cili gjendet në duhan dhe ka veprim helmues në sistemin nervor autonom. Nikotina gjithashtu përshpejton rrahjet e zemrës, rrit tensionin dhe rrit rrezikun për koagulimin e gjakut.
Katrani, nënkupton mbetjen e thatë të tymit të duhanit pa nikotinë. Gazi i monoksidit të karbonit që gjendet në tymin e duhanit ul kapacitetin e gjakut për të mbajtur oksigjen dhe pengon transportimin e mjaftueshëm të oksigjenit në inde. Si pasojë e kësaj ata që pinë duhanin gjatë ushtrimeve fizike lodhen më shpejt.

Sipas të dhënave të Shoqatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), në vitin 2006, 4.8 milionë persona kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Ky numër mendohet të arrijë në 10 milionë në vitin 2025. Gjithashtu cilësohet se nga kjo shifër, 7 milionë persona i përkasin vendeve në zhvillim si vendi ynë dhe 25-30% e personave që nga duhani vdesin më herët.
  • Duhani është shkaku i 35% të vdekjeve nga kanceri tek meshkujt dhe 15% të vdekjeve nga kanceri tek femrat.
  • Duhani është shkaku i 90% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Kanceri i mushkërive zë vendin e parë në vdekjet nga kanceri. Personat që pinë duhan kanë një rrezik për kancer të mushkërive 20 herë më të madh, sesa personat që nuk e pinë duhanin.
  • Edhe ata që nuk e pinë duhanin, por janë nën ndikimin e atyre që e pinë (duhanpirës pasivë), kanë një rrezik për kancer të mushkërive 3 herë më të madh në krahasim me ata që nuk pinë. 
    Ata që pinë duhan, përveç kancerit të mushkërive rrezikojnë të preken nga kanceri i gojës, gjuhës, buzës, fytit (laringut), rrugës së ngrënies (ezofagut), pankreasit, veshkave, fshikëzës së urinës, prostatit dhe qafës se mitrës.
  • Gratë që, pavarësisht se nuk pinë, por janë nën ndikimin e tymit të duhanit, kanë një rrezik më të rritur për kancerin e gjirit.
  • Duhani është shkaku kryesor i sëmundjeve të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes që shfaqen me vështirësi në frymëmarrje, si p.sh bronkiti kronik dhe emfizema. Vdekja që shkaktohet nga këto sëmundje është 40 herë më e lartë se atyre që nuk pinë.
  • Rreziku i krizës së zemrës është 3 herë më i lartë tek ata që pinë duhan.
  • Duhani ndikon në qarkullimin e gjakut dhe në enët e gjakut. Me këtë ndikim rritet rreziku për sëmundjet e enëve të gjakut të trurit dhe rreziku për t‘u paralizuar. Duhani shkakton gangrenë të këmbëve.
  • Gratë që pinë duhan rrezikojnë të kenë më tepër aborte të padëshiruara, lindje të parakohshme, lindje të bebeve me peshë të vogël dhe infertilitet. Gratë që përdorin ilaçe për kontrollin e shtatzënisë (kontraceptivë oral) dhe pinë duhan rrezikojnë të kalojnë krizë zemre.
  • Duhani shkakton impotencë tek meshkujt.
  • Duhani rrit rrezikun e ulcerës së stomakut dhe ngadalëson shërimin e saj.
  • Duhani shkakton tharje të lëkurës, sëmundje të psoriazës dhe lehtëson formimin e kataraktit në sy.

Sipas të dhënave, jetëgjatësia e një personi që pi duhan shkurtohet deri me 10 vjet, ndërsa vdekjet mes grupmoshave që pinë duhan janë 5 herë më të larta se mes atyre që nuk e pinë atë.
Ekspertët thonë se fëmijët janë më të pambrojturit ndaj tymit të duhanit. Mbajtja e fëmijëve në mjedise ku pihet duhan mund të bëhet shkak për sëmundje të tjera më të rrezikshme. Tymi i lëshuar nga të tjerët, tek fëmijët, bëhet shkak për infeksione në gjoks, bronkit dhe infeksione të veshit dhe astmë. Dëmet e duhanit shfaqen pas një kohë të gjatë. Për këtë arsye personat që pinë duhan vazhdojnë të pinë pa qenë në dijeni të rrezikut.

Duhani dhe kanceri i mushkërive... 
Duhani është shkaku kryesor dhe që njihet më mirë në etiologjinë e kancerit të mushkërisë. 
Është vërtetuar se në tymin e duhanit ndodhen afërsisht 4000 lëndë të rrezikshme, 50 nga të cilat janë "kancerogjene" (që shkaktojnë kancer). 
20% e atyre që pinë duhan (një person në çdo pesë veta!) në një periudhë të jetës së tyre diagnostikohen me kancer të mushkërisë. Ata që pinë një paketë në ditë kanë një rrezik 13 herë më të madh për të pasur kancer të mushkërisë në krahasim me ata që nuk pinë duhan.
 
Kohëzgjatja e pirjes së duhanit, numri i cigareve që pihen në ditë dhe sasia e katranit që ndodhet në tymin e duhanit ndikojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërisë. Nëse lini duhanin edhe pse në konsumuesit e vjetër të duhanit rreziku i kancerit nuk zhduket plotësisht, ky rrezik ulet për çdo vit që kalon pa pirë duhan.

Ata që nuk pinë, por ndodhen në ambiente të mbyllura me ata që pinë duhan dhe kanë mbetur për një kohë të gjatë nën ndikimin e tymit të duhanit (p.sh. bashkëshortët e personave që pinë duhan janë pirës pasiv të duhanit) kanë një rrezik 2 herë më të madh për kancer të mushkërisë. Për këtë arsye në vendet e zhvilluara janë vendosur rregulla të rrepta për ata që pinë duhan. 

Pirja e duhanit, përveç se dëmton zemrën dhe enët e gjakut, shpeshherë dëmton në mënyrë të pakthyeshme bronket dhe vetë mushkërinë dhe bëhet shkak për sëmundje si bronkiti kronik dhe emfizema që shfaqen me mungesë në frymëmarrje. Këto sëmundje ulin në mënyrë të theksuar kapacitetin e frymëmarrjes dhe të kryerjes së ushtrimeve fizike të personit. Kështu që edhe pse i kapur në fazë të hershme kanceri i mushkërisë nuk mund të operohet për këtë arsye. 

Fushata falas kundër duhanit në Spitalin Amerikan
Pikërisht shpeshtësia e lartë e sëmundjeve të mushkërive ndër personat duhanpirës dhe dëmet serioze që shkakton konsumimi i duhanit kanë qenë shtysa që Spitali Amerikan i Tiranës në vazhdën e misionit të tij ndërgjegjësues, me fushatat falas në ndihmë të grupeve të ndryshme të pacientëve, t‘i kushtojë rëndësi të veçantë kontrollit pneumologjik-kardiologjik falas për gjithë duhanpirësit mbi 50 vjeç. 

Grupi i mjekëve pneumologë dhe kardiologë pranë këtij spitali kanë hartuar një paketë ekzaminimesh që në fakt kalojnë koston prej 400 euro/person dhe që do t‘u ofrohet falas këtij grupi personash gjatë gjithë muajit dhjetor.

Paketa që mund të konsiderohet një check up pneumo-kardiologjik përfshin: 

  • Vizitë nga mjeku pneumolog dhe ai kardiolog;
  • EKG dhe Spirometri (mat kapacitetin e pulmoneve);
  • Skaner i mushkërive dhe i zemrës;
  • Konsultë vlerësuese e përfundimeve të ekzaminimeve.

Mjekja radiologe e këtij spitali, Dr. Iris Allajbeu na shpjegon se "Përdorimi i Tomografisë së Kompjuterizuar Multidetektorë (skaneri-MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur kancerin e mushkërisë në faza të hershme. Procedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda. Me një kompjuter të zhvilluar mund të formohen pamje me tre dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. Me këtë metodë është e mundur të diagnostikohet kanceri i hershëm i mushkërisë në 3% të personave mbi 40 vjeç që pinë 1 paketë në ditë për më shumë se 10 vjet".
Duke pasur aparaturën më të avancuar të skanerit në vend, CT me 64 detektorë, Spitali Amerikan ka zgjedhur që në këtë fund vit të sensibilizojë pacientët e tij duhanpirës për dëmet e duhanit dhe t’u ofrojë atyre që dëshirojnë edhe një program të detajuar për lënien e tij.

Burimi: Gazeta Shqip, 25/11/2008


Skaner e vizita falas, për duhanpirësit mbi 50 vjeç
Një gamë e gjerë analizash për të gjithë duhanpirësit mbi moshën 50 vjeç. Gjithçka do të ofrohet falas nga Spitali Amerikan në Tiranë. Është një paketë ekzaminimesh që vlerën reale e ka 400 euro, por qytetarët që do të bëhen pjesë e fushatës nuk do të paguajnë asgjë. Kjo për të gjithë muajin dhjetor. Pikërisht incidenca e lartë e sëmundjeve të mushkërive ndër personat duhanpirës dhe dëmet serioze, që shkakton konsumimi i duhanit kane qenë shtysa që Spitali Amerikan i Tiranës ka nisur misionin e tij sensibilizues. Kjo fushatë do të ndiqet nga të tjera për t'u ardhur në ndihmë të grupeve të ndryshme të pacientëve, t'i kushtojë rëndësi të veçantë kontrollit pneumologjik-kardiologjik falas për gjithë duhanpirësit mbi 50 vjeç. Grupi i mjekëve pneumologë dhe kardiologë pranë këtij spitali kanë hartuar një paketë ekzaminimesh që mund të konsiderohet një check up pneumo-kardiologjik përfshin, vizitë nga mjeku pneumolog dhe ai kardiolog, EKG dhe Spirometri (mat kapacitetin e pulmoneve), skaner i mushkërive dhe i zemrës, konsultë vlerësuese e përfundimeve të ekzaminimeve. Mjekja radiologe e këtij spitali, Iris Allajbeu shpjegon se përdorimi i tomografisë së kompjuterizuar multidetektorë (skaneri-MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur kancerin e mushkërisë në faza të hershme. "Procedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda. Me një kompjuter të zhvilluar mund të formohen pamje me tre dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. Me këtë metodë është e mundur të diagnostikohet kanceri i hershëm i mushkërisë në 3% të personave mbi 40 vjeç që pinë 1 paketë në ditë për më shumë se 10 vjet", sqaron Allajbeu. Duke pasur aparaturën më të avancuar të skanerit në vend, CT me 64 detektorë, Spitali Amerikan ka zgjedhur që në këtë fundvit të sensibilizojë pacientët e tij duhanpirës për dëmet e duhanit dhe t'u ofrojë atyre që dëshirojnë edhe një program të detajuar për lënien e tij.

Spitali Amerikan - Tashmë me 21 specialitete
Operacion ne zemer

Vendosur: 15/10/2008


Primarin e Spitalit Amerikan, kardiokirurgun e njohur të disa katedrave prestigjioze, Prof. Dr. Neyyir Tuncay Eren, mund ta gjeni shpesh në ambientet e kardiokirurgjisë së Spitalit Amerikan në Tiranë, teksa viziton pacientët e tij para ose pas operacionit. Në fakt gjatë këtyre vizitave të gjata e të mundimshme profesori vërtetë dhuron kohën e tij të vyer por duket se fiton zemrën dhe mirënjohjen e secilit prej pacientëve të tij.


Prof. Neyyir, tashmë ka shumë shqiptarë që ju njohin me emër. Si ju duket kjo?


Më vjen mirë sigurisht, por kjo ka ardhur shumë natyrshëm. Ka arritur në 2000 numri i pacientëve shqiptarë që unë dhe ekipi im kemi operuar, në fillim në Ankara dhe më pas këtu në Tiranë në Balkan Alliance tashmë American Hospital.


Mjek turq, në një spital amerikan, në Tiranë. Mund të na flisni për këtë? Çfarë ka ndryshuar në atë që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj themeluat dhe ne njohëm si Balkan Alliance?


Balkan Alliance filloi si një iniciativë e përbashkët turko shqiptare në kardiologji dhe kardiokirurgji por në një kohë shumë të shkurtër me suksesin që pati tërhoqi vemendjen e një grupi të fuqishëm amerikan Bedminster Capital Management. Në fillim të këtij viti, pasi bleu pjesën më të madhe të aksioneve, BCM i hapi dyert një spitali me përmasa shumë më të mëdha që shërben tashmë jo vetëm në kardiologji dhe kardiokirurgji por edhe në 21 departamente të tjera. Spitali Amerikan vazhdon të ruajë strukturën dhe stafin e Balkan Alliance por sigurisht me 21 specialitete, mbi 200 punonjës dhe teknologji akoma më të avancuar është një spital i një dimensioni krejt tjetër që brenda vitit do të pasohet nga nje spital i dytë në Tirane, një tjetër në Kosovë dhe klinika satelite në disa qytete të Shqipërisë.


Si primar i kardiologji – kardiokirurgjisë së Spitalit Amerikan çfarë mund të na thoni për pacientët kardiakë në Shqipëri?


Në këto dy vite pune shoh që kemi hapur një tjetër epokë në kardiologji dhe kardiokirurgji dhe kjo më gëzon. Jo vetëm kemi fituar besimin e pacientëve, por edhe kemi kontribuar në ndërgjegjësimin e tyre për problemet kardiake, për rutinën e tyre të kontrollit etj.


A janë të ngjashme kardiopatitë e pacientëve shqiptarë me ato të Turqisë?


Në fakt dy popullatat, si ajo shqiptare, ashtu edhe ajo turke ngjasojnë shumë me njëra tjetrën për sa u përket problematikave shëndetësore por megjithatë më duhet të theksoj se incidenca e semundjeve të zemrës është më e lartë këtu në Shqipëri. Dhe ajo që është më e rëndësishme është se mosha mesatare e pacientëve me probleme kardiake është shumë më e re në Shqipëri se sa në Turqi.


Cilat mendoni se janë shkaqet e kësaj të fundit?


Ka shumë faktorë që ndikojnë. Faktori gjenetik, konsumimi i tepërt i duhanit dhe i ushqimeve me prejardhje shtazore mund të përmenden vetëm si disa prej tyre. Dicka tjetër qe dua të theksoj është neglizhenca që kam parë tek pacientët shqiptarë ndaj sëmundjeve të zemrës. Pjesa dërmuese e pacientëve që bashkë me ekipin tim operojmë, vijnë tek ne pasi kanë kaluar një apo disa kriza dhe pasi zemra ka pësuar dëmtime serioze.


Çfarë duhet patur parasysh për ta parandaluar këtë?


Në veçanti personat që kanë një historik familjar, pra, me prindër apo të afërm të cilët kanë kaluar kriza zemre ose që kanë patur vdekje të papritura dhe të menjëhershme nga zemra në rrethin e ngushte familjar, ata qe kane dhimbje gjoksi te herepashershme, piresit e duhanit dhe personat e diagnostukuar me hypertension ose nivel te larte te yndyrnave ne gjak duhet patjeter ti nenshtrohen kontrollit te kardiologut.


A ekziston mundësia e një diagnostikimi të plotë dhe të mësuarit saktësisht se në ç’gjendje është zemra?


Sigurisht që po. Nëse mjeku kardiolog dyshon gjatë kontrollit rutin për sëmundje të arterieve koronare atëherë na vjen në ndihmë angiografia koronare që tregon me një saktësi 100 % gjendjen e pacientit.


Pra angiografia koronare është kusht?


Me metodat klasike të diagnostikimit, EKG, Echo, prova ushtrimore, është arritur deri në 65 - 70 % saktësi diagnostikimi ndërkohë që angiografia na jep 100 % gjendjen e vërtetë. Por në vitet e fundit teknologjia na ka ofruar mundësinë e kryerjes së angiografisë nëpërmjet aparaturave shumë të zhvilluara të tomografisë. Një skaner me 64 dedektorë është në gjendje të eksplorojë arteriet koronare brenda 1 minute me një saktësi mbi 95 %. Pacientët shqiptarë kanë fatin ta kenë këtë aparaturë unike që prej prillit të këtij viti vetëm pranë Spitalit Amerikan këtu në Tiranë dhe të diagnostikohen brenda pak minutave me saktësi dhe profesionalizëm. Metoda e angiografisë me skaner është shumë e përdorshme dhe e suksesshme në personat me aktivitet të ngjeshur e kohë të reduktuar, në grupet e pacientëve që kanë historik familjar ose predispozitë për të patur semundje koronare por nuk shfaqin simptoma si dhe për arsye kontrolli në pacientët që i janë nënshtruar by-passit.


Profesor, tashmë ka kaluar 1000 numri i pacientëve të operuar suksesshëm nga ju dhe ekipi juaj në Spitalin Amerikan dhe pacientët shqiptarë shpesh shprehin kënaqësi ndaj punës tuaj. Ju çdo të thoni për këtë?


Në sistemin që ne kemi ngritur në Spitalin Amerikan çdo gjë është projektuar me shumë përkushtim dhe vëmendje dhe nuk është lënë mangut asnjë aparaturë apo metodë që mjekësia moderne përdor sot në botë. Personeli ynë i përbërë kryesisht nga shqiptarë e turq, jo vetëm kanë sjellë për herë të parë në Shqipëri frymën e përkushtimit në shërbimin spitalor por edhe punojnë vazhdimisht për tu rritur profesionalisht. Si para hapjes së spitalit ashtu edhe gjatë këtyre dy viteve të punës mjekët dhe teknikët e talentuar që ne kemi, janë trajnuar dhe vazhdojnë të trajnohen kryesisht në Turqi e në Europë. Për sa i përket kardiokirurgjisë, përveç defekteve të lindura e problemeve të sistemit valvular, kirurgjisë së aortës e bypasset, kirurgjisë së aortes ashendente e arterieve karotide e femorale, ne kemi kyer edhe shume ndërhyrje që nuk janë kryer më parë në Shqipëri dhe që janë dërguar vazhdimisht jashtë vendit. Na bën krenar fakti që jo vetëm trajtojmë, kurojmë e shpëtojmë jetë por edhe kemi ulur pothuaj ne 0 numrin e pacientëve që marrin rrugët e mundimshme jashtë Shqipërisë për të patur një ndërhyrje në zemër.


Në kardiologji ka shume raste urgjente. Çfarë ndodh me këta pacientë?


Pyetje me vend. Një numër i madh i pacientëve kardiake përfundojnë në spital por Spitali Amerikan është i vetmi që posedon një strukturë të konsoliduar për tu shërbyer atyre në kohë dhe për të bërë ndërhyrje edhe në gjendje akute. Kemi kryer për herë të parë në Shqipëri dhe vazhdojmë ta kemi rutinë të sukssesshme revaskularizimin e arterieve koronare në gjendje akute të infarktit të miokardit, pra e thënë ndryshe: pasi transportojmë pacientin herë me ambulancë, herë me helikopter mundësojmë vendosjen e stentit ose në rastet më ekstreme ndërhyrjen by-pass duke shpëtuar kështu jetën e pacientit në gjendjen më kritike. Infarkti i miokardit ose diseksioni i aortës, pra kriza e zemrës ose çarja e aortës janë vdekjeprurëse por me një ndërhyrje të shpejtë pacienti mund të shpëtohet. Dhe të tillë ne kemi patur shumë, të transportuar me helikopter edhe nga Maqedonia.


Pra Spitali Amerikan ka pacientë edhe nga jashtë Shqipërisë?


Sigurisht që po. Nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Një nga përparësitë e punës së këtij spitali është edhe turizmi mjekësor. Sikundër e dini operacionet e zemrës janë nga më të kushtueshmet në vendet perëndimore dhe tashmë është e njohur lëvizja e pacientëve drejt vendeve si Turqia, Singapori etj. Spitali ynë ka gjithë mundësitë dhe kapacitetet për tu bërë një qendër e tillë dhe ne po punojmë për ta nxitur këtë. Vetëm në SHBA ka rreth 60 milionë pacientë me siguracion privat që kërkojnë vazhdimisht mundësitë e kurimit me cilësi dhe me kosto më të ulët dhe bashkëpunimi me investitorët tanë në SHBA shumë shpejt do i hapë rrugë turizmit edhe prej përtej oqeanit.


Cilat janë pikat kyçe të këtij spitali që do të tërhiqnin pacientë të huaj?


Kardiokirurgjia, kirurgjia ortopedike, kirurgjia estetike, kirurgjia e syrit, transplanti i veshkave janë disa nga shërbimet kryesore që pacientët kërkojnë, por Spitali Amerikan me investimet e fuqishme dhe 21 departamentet e kompletuara do të mund ti shërbejë çdo kërkesë të tyre.


Lidhjet akademike që ka Spitali Amerikan i Tiranës me universitete në Turqi apo gjetke?


Në Turqi mjekësia ka përparuar shumë. Sikundër u thash, jo vetëm kurojmë pacientët tanë por u shërbejmë edhe pacientëve që vijnë nga gjithë Evropa. Ndërkohë unë jam pjesë e katedrës së kardiokirurgjisë në Universitetin e Ankarasë që është një universitet moshatar me vetë Republikën e Turqisë dhe një nga më të mirët në botë. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Qendrën Spitalore Universitare dhe Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Ankarasë dhe jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjitha specialitetet që ne kemi këtu në spitalin tonë në Tiranë. Më duhet të theksoj që ky bashkëpunim nuk konsiston në vajtje ardhje thjesht të kolegëve mjekë nga Ankaraja por në shkëmbim eksperience, studime të përbashkëta, ekipe të përbashkëta pune dhe sesione shkencore që ne organizojmë këtu here pas here. Të tjera Universitete do të na bashkëngjiten shumë shpejt si bashkëpunëtorë edhe nga Teksas e Boston dhe besoj të gjitha këto bashkëpunime do të shërbejnë për te realizuar projektin tonë ambicioz të një Qendre Spitalore Universitare të standardeve botërore.


Burimi: Gazeta Shqiptare, e mërkurë 15 tetor 2008


Erdogan në Tiranë, takim me Berishën e Ramën

Vendosur: 26/03/08
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti mbrëmë në Tiranë për të zhvilluar sot takime me krerët më të lartë të vendit.

Kreu i qeverisë turke do të mbërrijë në orën 09.20 në selinë e Kryeministrisë, ku pas ceremonisë zyrtare do të zhvillohet një takim prej 30 minutash kokë më kokë mes dy kryeministrave. Më pas në prani të dy kryeministrave do të nënshkruhet marrëveshja "Programi në kuadër për bashkëpunimin në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve”, ndërsa në orën 11:00 dy kryeministrat do të dalin në një konferencë për shtyp. Pas takimit me kreun e qeverisë, Erdogan do të zhvillojë një takim me kreun e Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Pas këtij takimi kreu i qeverisë turke do të zhvillojë një takim me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe më pas do të marrë pjesë së bashku me Berishën në takimin e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar. Takimet me krerët e lartë të vendit do të mbyllen në orën 15:00, kur Erdogan do të pritet nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Kryeministri turk ka përgatitur në axhendën e tij edhe dy takime me kryetarin e Komunitetit Mysliman, Selim Muça dhe Baba Reshat Bardhi, Kryetar i Komunitetit Bektashian. Gjithashtu mesditën e sotme kreu i qeverisë turke do të inaugurojë edhe ambientet e reja të spitalit Balkan Alliance Hospital.

Burimi:
http://www.panorama.com.al/index.php?id=12450 


Veshkat, transplanti i parë në vend kryhet nga privati

Vendosur: 18/11/2007


Transplantit të veshkës, aq shumë të përfolur se do të realizohej në spitalet shtetërore, i paraprin privati. “Balkan Alliance Medical Center” është klinika private, e cila ka kryer këtë transplant te dy pacientë. Dje me rastin e një vjetorit të hapjes së kësaj klinike të vendosur në ambientet e Spitalit Ushtarak, u organizua një ceremoni ku morën pjesë jo vetëm mjekë të njohur, por edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ai i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Gjatë vizitës së tij në ambientet e këtij spitali, Kryeministri vizitoi dy pacientët dhe prindërit e tyre, të cilët ishin dhuruesit e veshkave dhe u uroi shërim sa më të shpejtë. Veç kësaj, drejtuesit e “Balkan Alliance Medikal Center” treguan edhe laboratorët dhe ambientet e klinikës që mundësoi transplantin në vendin tonë. Kryeministri e cilësoi realizimin e transplantit të parë të veshkës në vendin tonë si një ngjarje të madhe për mjekësinë shqiptare dhe për vendin e shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë ekipi i mjekëve të spitalit “Nënë Tereza” do të realizojë transplante të tjera të veshkave në muajt që vijnë. “Këto janë dy transplantet e para të veshkave në historinë e vendit. Në këto dy transplante ju jo vetëm ndihmuat dy të rinj për të pasur një perspektivë të re jete, por çelët edhe siparin e transplantit të veshkës dhe organeve të tjera në këtë vend si një metodë radikale mjekimi, por që ka shpëtuar dhe shpëton me mijëra e mijëra jetë në botë”, tha Berisha. Duke e vënë theksin në faktin se transplantin e parë në vend e realizoi sektori privat, Berisha vlerësoi se krahas konsolidimit të shërbimit shëndetësor publik, mbështetje më të madhe do të marrë ky sektor. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se së shpejti do të inaugurohet një spital tjetër privat, duke i dhënë këtij sektori hapësirë gjithnjë e më të madhe në shërbimet jetike ndaj qytetarëve. Qendra kardiologjie e “Balkan Alliance Medical Center që nga dita e hapjes së saj një vit më parë ka trajtuar rreth 5000 pacientë.


Burimi: http://www.panorama.com.al/index.php?id=7590


Materniteti i parë privat në vend, gati në fillim të vitit 2009

Vendosur: 21/09/2008


Në mars të vitit 2009 do të hapet materniteti i parë privat në vendin tonë. Pjesë e spitalit amerikan "Balkan Alliance" godina është drejt përfundimit. "Do të jetë një godinë spitalore e veçantë, ndërtimi i të cilës është duke mbaruar me gjithë specialitetet e një materniteti modern ku do të trajtohen të gjitha terapitë dhe ndjekjet gjinekologjike, onkologjike, fertilizim invitro dhe pediatri", bëjnë me dije drejtuesit e këtij spitali. Spitali amerikan "Balkan Alliance", aktualisht po operon në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplanteve të veshkës, duke realizuar më shumë se 2 000 koronarografi dhe rreth 500 ndërhyrje në zemër dhe aortë. Ndërhyrje këto të cilat realizohen me metodat dhe aparaturat më moderne. "Shumica e ndërhyrjeve by pass në enët e gjakut në zemër realizohen me mënyrën off pump, pa ndaluar zemrën dhe pa përdorur pompë, por duke ulur vetëm ritmin e zemrës. Kjo mënyrë aplikohet vetëm në qendra të caktuara dhe në vendet perëndimore", sqarojnë drejtuesit. Sipas tyre, është shumë komode për pacientët dhe i bën ata që periudhën post operative ta kalojnë më shpejt dhe pa probleme. Në këtë qendër janë trajtuar më shumë se 30 pacientë me infarkt akut, të cilëve në shumicën e rasteve ju është bërë hapja e enëve të bllokuara. Ndërhyrje, kjo e cila shpëton zemrën nga dëmtimi në rast se bëhet 6 orët e para të infarktit. "Kjo ndërhyrje u realizua për herë të parë në këtë qendër dhe ende realizohet vetëm aty. Po ashtu elektrofiziologjia është unike dhe e vetme, madje dhe në rajon (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi), studimi elektrofiziologjik dhe ablacionet është një procedurë e përdorur për kurimin e problemeve të ritmit në zemër si aritmia", nënvizojnë specialistët. Spitali amerikan, tashmë dhe me mbështetjen e aksionerëve të rinj amerikanë "Bedminster Capital Management Fund", vazhdon zgjerimin dhe zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri në të gjithë fushat e tjera mjekësore me staf të kualifikuar, aparatura shumë moderne dhe ambiente komode dhe të pastra. "Në këtë kohë kur nga shëndetësia jemi mësuar të dëgjojmë vetëm probleme dhe korrupsion, zhvillimet në këtë qendër private duhet të jenë inkurajuese dhe shembull dhe për spitalet publike", pohojnë drejtuesit. Disa muaj më parë amerikanët kanë blerë pjesën dominuese të aksioneve në spitalin turk "Balkan Alliance Medical Center", i ndërtuar pranë ambienteve të Spitalit Ushtarak. Pas lidhjes së kontratës planifikohen investime deri në 100 milionë dollarë në mjekësinë shqiptare. Fondi i investimeve "Bedminster Capital Management" me qendër në New York, përbëhet nga fonde të OPIC (Korporata e Investimeve Ndërkombëtare të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara) dhe disa investitorë të njohur amerikanë.


Burimi: http://www.panorama.com.al/index.php?id=19241


Të kushton më pak të parandalosh sesa të kurosh

Vendosur: 27/06/2007


“Check-up” ose i shpjeguar ndryshe në shqip si kontroll mjekësor periodik është një paketë ekzaminimesh laboratorike dhe imazherike. Aida Malaj Këto kryhen për identifikimin dhe parandalimin e mjaft sëmundjeve të ndryshme, në një stad ende jo të avancuar", shpjegon për gazetën "Panorama" një nga mjekët e "Balkan Alliance Medical Center", spitali i ri turk, tashmë i afirmuar për cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit që ofron pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Pse duhet të bësh një kontroll mjekësor periodik? Pothuaj çdo çrregullim shëndetësor që do të gjenerojë më vonë në një sëmundje shfaqet në rezultatet e "check-up"-it si prishje e ekuilibrave biokimikë, dhe e diagnostikuar në fazat fillestare kjo lejon parandalimin dhe kurimin e hershëm. Pa asnjë dallim moshe apo seksi, "check-up" është një nga metodat më efektive të mjekësisë parandaluese që ka gjetur një aplikim të gjerë në spitalin turk. "Check-up" ka një rëndësi të veçantë për personat me një histori familjare për një sëmundje të caktuar, pra nëse mbartin faktorë rreziku për këtë sëmundje. Ankesat e pacientit, historiku personal dhe familjar, mënyra e jetesës, ushqyerjes dhe aktivitetit fizik janë shumë domëthënëse në përcaktimin e një diagnoze të saktë. Analizat laboratorike pa këto të fundit janë të pamjaftueshme. Vizita e mjekut, egzaminimet imazherike radiologjike dhe egzaminimet e avancuara si ultrasonografia dhe tomografia bashkë me analizat e detajuara të gjakut e urinës plotësojnë një paketë të plotë "check-up"-i. "Ky kontroll duhet kryer periodikisht pa u lënë pas dore, sidomos në moshat mbi mesataren dhe te personat me histori familjare për një sëmundje të caktuar ky grup egzaminimesh duhet kryer çdo gjashtë muaj", thotë Arjeta Dedej, mjeke patologe pranë spitalit turk "Balkan Alliance Medical Center", i pari institucion shëndetësor që ka filluar një fushatë të gjerë sensibilizimi për rëndësinë e kontrollit mjekësor në parandalimin dhe kurimin në fazat fillestare të sëmundjes. Kjo klinikë duke i dhënë një rëndësi të veçantë mjekësisë parandaluese, jo vetëm ka hartuar 7 paketa të ndryshme kontrolli, por ofron edhe 10% ulje në çmimet e tyre. I pyetur pse pikërisht janë fokusuar në kontrollet e përgjithshme mjekësore një prej profesorëve në spitalin turk thotë se: "Nga mbi 2500 pacientë ambulatorë dhe të shtruar që kemi pasur deri më sot rezulton se kujdesi periodik për shëndetin dhe kontrolli në hapat e parë të sëmundjes mungon. Për këtë arsye kemi vendosur të ndërmarrim këtë nismë sensibilizuese nën moton "Kujdesu për veten, fillo nga paketat check-up!" Në fakt shtysë për t’u ndalur mbi kontrollin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjeve është bërë numri i lartë i pacientëve kardiakë dhe për më tepër mosha e tyre shumë e re",- thotë prof. dr.Neyyir Tuncay Eren. Profesorët e spitalit tregojnë se në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera, ka një moshë mesatare shumë të ulët të pacientëve kardiakë. Faktorë si kequshqyerja, alkooli, duhani e stresi kanë bërë që shqiptarët të kenë probleme serioze dhe të kombinuara të sistemit kardio-vaskular në mosha shumë të reja. Dhe pikërisht janë këto, ditët e nxehta të verës, që sinjalizojnë prishjen e ekuilibrave të organizmit dhe nxjerrin në pah shenjat fillestare të një sëmundjeje të mundshme. Në "Balkan Alliance Medical Center", programet e kontrollit periodik janë të ndryshme për fëmijë, të rinj, gra mbi 40 vjeç, burra mbi 40 vjeç, për gra shtatzëna, për pacientë diabetikë dhe pacientë kardiakë. Në secilën prej këtyre programeve ka ekzaminime që janë shumë të rëndësishme dhe domethënëse për grupe të caktuara pacientësh. Nga këto mund të përmendim echo e gjirit dhe testing për markerin e tumoreve të vezoreve CA125 për gratë mbi 40 vjeç, testi i markerave tumorale Free PSA/PSA te meshkujt mbi 40 vjeç, lipidograma në mosha mbi mesataren dhe pacientë kardiakë, radiografia për grupin e duhanpirësve, etj. "Kultura e kontrollit të rregullt periodik, në bazë të të cilit ne kemi hartuar paketat tona, jo vetëm informon në kohë se ç’ndodh me shëndetin tuaj, por ndihmon në rritjen e jetëgjatësisë dhe rrit cilësinë e jetës, por gjithashtu ul koston e trajtimit dhe kurimit të shumë sëmundjeve që të kapura në faza të avancuara shpeshherë bëhen edhe të pashërueshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që të fillojmë të kuptojmë rëndësinë e kontrollit mjekësor duke pasur gjithmonë parasysh se kushton më pak të parandalosh sesa të kurosh", thotë patologia Dedej.


Burimi: http://www.panorama.com.al/index.php?id=915

Fillimi | << |  1 2 3  | >> | Fundi
 
 
 

Copyright © 2008-2013 - Univers-Alb Sh. a. - Spitali Amerikan. All rights reserved! Powered by: orihost.com
Përmbajtja është autentike dhe pronë e Spitalit Amerikan. Ndalohet riprodhimi, përdorimi apo shpërndarja e pa autorizuar e materialeve.
Pranë Spitalit Ushtarak - Laprakë, Tiranë. Tel: (+355) 042-35 75 35, (+355) 042-35 70 11