| |
|
|
| Informim 1
|
Çfarë është kimioterapia? | Kimioterapia është trajtimi me medikamente që mund të shkatërrojnë qelizat e kancerit. Këtyre medikamenteve shpesh u referohemi si medikamente “kundër kancerit”.
Si funksionon kimioterapia? Qelizat normale rriten dhe vdesin në mënyrë të kontrolluar. Kur shfaqet kanceri, qelizat kanceroze që nuk janë më normale, vazhdojnë të ndahen në mënyrë të pakontrolluar. Medikamentet kundër kancerit shkatërrojnë qelizat e kancerit duke i ndaluar ato të rriten e të shumohen. Mund të dëmtohen dhe qelizat e shëndetshme, në veçanti ato qeliza që ndahen shpejt. Dëmtimi i qelizave të shëndetshme është ajo çfarë shkakton efektet anësore. Këto qeliza, në përgjithësi e marrin veten pas kimioterapisë. Për shkak të faktit se disa medikamente funksionojnë më mirë së bashku se më vete, shpesh jepen dy a më shumë medikamente së bashku. Kjo quhet kimioterapi e kombinuar. Mund të përdoren dhe lloje të tjera medikamentesh për të trajtuar kancerin tuaj. Këtu mund të përfshihen disa medikamente që mund të bllokojnë efektin e hormoneve të trupit tuaj. Ose, mjekët mund të përdorin terapi biologjike, që është trajtim me substanca që nxisin sistemin imun të vetë trupit kundër kancerit. Trupi juaj shpesh i prodhon këto substanca në masa të vogla për të luftuar kancerin dhe sëmundje të tjera. Këto substanca mund të përgatiten në laboratorë dhe mund t’u jepen pacientëve për të shkatërruar qelizat e kancerit ose për të ndryshuar mënyrën sesi reagon trupi ndaj një tumori. Ato mund të ndihmojnë dhe në riparimin e trupit ose të shkatërrojnë qelizat e reja nga kimioterapia.
Çfarë mund të bëjë kimioterapia? Në varësi të llojit të kancerit dhe të mënyrës së avancimit të tij, kimioterapia mund të përdoret për qëllime të ndryshme: • Për të kuruar kancerin. Kanceri konsiderohet i kuruar kur pacienti nuk ka më gjurmë të qelizave kanceroze. • Për të kontrolluar kancerin. Kjo bëhet për të mos lejuar shpërndarjen e kancerit; për të ngadalësuar rritjen e tij dhe për të vrarë qelizat e kancerit që mund të jenë shpërndarë në pjesë të tjera të trupit, të ndryshme nga pjesa ku është shfaqur kanceri për herë të parë. • Për të lehtësuar simptoma që mund të shkaktohen nga kanceri. Heqja e simptomave të tilla si dhimbja mund t’i ndihmojë pacientët të jetojnë më të qetë. A përdoret kimioterapia me trajtime të tjera? Ndonjëherë kimioterapia është i vetmi trajtim që merr një pacient. Më shpesh, gjithsesi, kimioterapia përdoret plus operacionit, terapisë më rreze, dhe/ose terapisë biologjike për të: • Tkurrur një tumor para operacionit ose terapisë me rreze. Kjo quhet terapi neo-ndihmëse. • Ndihmuar në shkatërrimin e qelizave kanceroze që mund të mbeten pas operacionit dhe/ose terapisë me rreze. Kjo quhet kimioterapi ndihmëse. • Bërë terapinë me rreze dhe terapinë biologjike të ketë rezultate më të mira. • Ndihmuar për të shkatërruar kancerin nëse ai shfaqet ose është shpërndarë në pjesë të tjera të trupit të ndryshme nga pjesa në të cilën kanceri është shfaqur për herë të parë. Çfarë medikamentesh përdoren? Disa medikamente kimioterapie përdoren për lloje të ndryshme kanceri, ndërsa medikamente të tjera përdoren vetëm për një ose dy lloje kanceresh. Mjeku rekomandon një plan trajtimi të bazuar në: • Llojin e kancerit nga i cili pacienti vuan. • Pjesën e trupit të prekur nga kanceri. • Efektin e kancerit mbi funksionet kryesore të trupit të pacientit. • Shëndetin e pacientit në përgjithësi.
Si jepet trajtimi? Trajtimi shpesh ju jepet si trajtim pacienti ditor. Para se të filloni trajtimin, do të duhet që në të njëjtën ditë ose disa ditë më parë të bëni një ekzaminim gjaku. Ju do të vizitoheni nga një mjek, ose infermiere e specializuar. Nëse rezultatet e analizave të gjakut janë normale, farmacisti do t’ju përgatisë medikamentet e kimioterapisë. E gjitha kjo mund të marrë disa orë. Kur filloni trajtimin, infermierja do të vendosë një tub të hollë e fleksibël në një venë në dorë ose në krah. Ju mund të mos ndiheni rehat si rezultat i vendosjes së saj, ose madje mund të keni dhe pak dhimbje, por kjo gjendje nuk zgjat shumë. Disa persona e marrin kimioterapinë nëpërmjet një tubi të hollë plastik që ju futet nën lëkurë në një venë në afërsi të klavikulës, ose që mund të kalohet nëpërmjet një vene në krahun e tyre (vija e PICC-së). Mjeku ose infermierja do t’ju shpjegojnë më tepër rreth kësaj gjëje. Ju do t’ju jepen disa medikamente kundër sëmundjes. Këto medikamente shpesh ju jepen me anë të injeksionit nëpërmjet tubit të hollë, klavikulës ose të PICC-së, e cila lidhet me një infuzion, por mund të jepen dhe disa medikamente në formën e tabletave.
Marrja e mbështetjes për të cilën pacienti ka nevojë Kimioterapia, ashtu si kanceri, mund të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e një personi. Ajo mund të kurojë kancerin, ndonjëherë mund të ketë ndikim mbi shëndetin e pacientit në përgjithësi, mund të shkaktojë stres, mund të ndërpresë aktivitetet e përditshme dhe mund të tensionojë marrëdhëniet personale. Nuk është çudi që disa njerëz ndihen në gjendje melankolie, ankthi, të nevrikosur ose të depresuar në një pikë të caktuar të kimioterapisë së tyre. Këto emocione mund të jenë shumë normale, por mund të jenë dhe shqetësuese. Fatmirësisht, ka mënyra për të trajtuar këto efekte anësore emocionale, ashtu siç ka dhe mënyra për të trajtuar efektet anësore të kimioterapisë. Ku mund të mbështetem unë? Ju mund t’i drejtoheni burimeve të ndryshme për mbështetje. Më poshtë janë disa nga burimet më të rëndësishme: Mjekët, infermieret dhe profesionistët e tjerë të shëndetit. Nëse keni pyetje ose shqetësime në lidhje me trajtimin e kancerit tuaj, bisedoni me anëtarë të skuadrës tuaj të shëndetit. Tregojuni nëse ndiheni në ankth ose të dëshpëruar, ose nëse keni ndryshime të tjera emocionale ose fizike. Profesionistët e këshillimit. Ka disa lloje këshilluesish që mund t’ju ndihmojnë të shprehni, kuptoni ose të menaxhoni ndjenjat tuaja. Nëse jeni të dëshpëruar, duhet të shqyrtoni mundësinë e kërkimit të ndihmës profesionale. Të ndjerit i pashpresë, i pavlerë, fajtor ose që jeta nuk ia vlen të jetohet janë shenja depresioni. Në varësi të preferencave dhe nevojave tuaja, ju mund të doni të flisni me një psikiatër, psikolog, punonjës social, terapist seksi ose me dikë nga kleri. Ka dhe medikamente që mund të përdoren për të trajtuar depresionin. Shumë qendra të trajtimit të kancerit kanë programe “psiko-onkologjike” me psikiatër, psikologë, dhe punonjës socialë të trajtuar për të punuar me pacientët që vuajnë nga kanceri. Mjeku, infermieri ose punonjësi juaj social mund të jenë në gjendje t’ju sugjerojnë se kë të kontaktoni. Miqtë dhe anëtarët e familjes. Të folurit me miqtë ose me anëtarët e familjes mund t’ju ndihmojë të ndiheni goxha më mirë. Shpesh, ata mund t’ju japin mbështetje dhe siguri më mirë se askush tjetër. Gjithsesi, ju duhet t’i lini ata t’ju ndihmojnë. Në një kohë kur ju mund të prisni që të tjerët do të vrapojnë për t’ju ndihmuar, mund t’ju duhet ju të merrni hapin e parë. Para se të filloni kimioterapinë, ka mundësi që ju ende të gjeni kënaqësi në intimitetin fizik gjatë trajtimit. Gjithsesi, mund të zbuloni se intimiteti ndryshon gjatë trajtimit. Të përqafuarit, të prekurit, dhe të mbajturit mund të bëhen më të rëndësishme, ndërsa marrëdhënia seksuale mund të bëhet më pak e rëndësishme. Mbani mend se ajo çfarë ishte e vërtetë para kimioterapisë mbetet e vërtetë dhe tani: nuk ka një mënyrë “të drejtë” të vetme për të shprehur seksualitetin tuaj. Ju dhe partneri duhet të vendosni së bashku se çfarë ju kënaq të dyve.
Të ngrënit mirë gjatë kimioterapisë Është shumë e rëndësishme që të hani mirë gjatë periudhës kur trajtoheni me kimioterapi. Të ngrënët mirë gjatë kimioterapisë do të thotë që ju të zgjidhni një dietë të balancuar që përfshin të gjithë ushqyesit për të cilët ka nevojë trupi juaj. Të ngrënët mirë do të thotë që të keni një dietë të mjaftueshme në kalori për të mbajtur peshën në kontroll, dhe mjaftueshëm të pasur në proteina për të rindërtuar indet që mund të shkatërrohen nga trajtimi i kancerit. Njerëzit që hanë mirë mund të përballojnë efektet anësore dhe të luftojnë infeksionin më mirë. Në të njëjtën mënyrë, trupat e tyre mund të rindërtojnë indet në mënyrë më të shëndetshme.
A mund të pihen pije alkoolike? Masa të vogla alkooli mund t’ju ndihmojnë të çlodheni dhe të keni më shumë oreks. Në anën tjetër, alkooli mund të ndërhyjë në mënyrën e funksionimit të medikamenteve të tjera dhe/ose mund të përkeqësojë efektet e tyre anësore. Për këtë qëllim, disa njerëz mund të pijnë më pak alkool ose mund ta shmangin tërësisht atë gjatë kimioterapisë. Pyesni mjekun tuaj nëse dhe sa birrë, verë apo ndonjë pije tjetër alkoolike mund të përdorni gjatë trajtimit.
A mund të marr vitamina dhe minerale shtesë? Në përgjithësi ju mund të merrni të gjitha vitaminat dhe mineralet për të cilat keni nevojë duke ngrënë një dietë të shëndetshme. Bisedoni me mjekun, infermieren, dietologun tuaj ose me një farmacist para se të merrni vitamina ose suplemente minerale. Më shumë vitamina ose minerale seç duhen mund të jenë po aq të rrezikshme sa dhe më pak ose më shumë vitamina dhe minerale seç duhet. Gjeni se çfarë rekomandohet për ju. Ju nuk ndiheni i sëmurë. Kjo ndodh pasi disa medikamente kundër sëmundjes janë shumë më mirë në të parandaluarit e sëmundjes sesa në të ndaluarit e saj kur ajo ka filluar.
Sa shpesh jepet trajtimi? Mjeku juaj mund të përdorë fjalën ‘skeme’ (p.sh. AC) kur flet për kimioterapinë tuaj. Kjo i referohet të gjithë planit ose programit të një trajtimi të veçantë që po merrni. Ju do të merrni kimiopreparatet (të vendosura nga mjeku) ditën e parë të trajtimit tuaj. Pas kësaj do të keni një periudhë pushimi pa kimioterapi për tre javët në vijim. Kjo plotëson atë çfarë quhet cikël i trajtimit tuaj. Pas periudhës së pushimit, do t’ju jepen sërish të njëjtat medikamente, gjë që shënon ciklin pasardhës të trajtimit tuaj. Gjatë një periudhe nga tre deri në gjashtë muaj, shpesh jepen katër deri në gjashtë cikle trajtimi. Kjo përbën një kurs trajtimi.
Efektet e mundshme anësore Reagimi i çdo personi ndaj kimioterapisë është i ndryshëm. Disa njerëz kanë shumë pak efekte anësore, ndërkohë që të tjerët mund të përjetojnë më tepër efekte anësore. Efektet anësore që përshkruhen në këtë informacion nuk prekin gjithkënd që i nënshtrohet kimioterapisë. Ne kemi theksuar efektet anësore më të zakonshme, në mënyrë që ju të jeni në dijeni të tyre kur të shfaqen. Gjithsesi, ne nuk i kemi përfshirë ato efekte që janë të rralla, e, të cilat mund të kenë ndikim mbi ju. Nëse vini re efekte të cilat ju mund të mendoni se kanë ardhur si rezultat i medikamentit, por të cilat nuk përfshihen më poshtë, ju lutem bëjani me dije këtë gjë infermieres ose mjekut tuaj.
Rezistencë e ulur ndaj infeksioneve Kimioterapia mund të ulë prodhimin e rruazave të bardha të gjakut nga palca e kockave, duke ju bërë më të prekshëm ndaj infeksionit. Ky efekt mund të fillojë shtatë ditë pas dhënies së trajtimit tuaj, dhe ulja e rezistences tuaj ndaj infeksionit në përgjithësi e arrin pikun 10-14 ditë pas kimioterapisë. Më pas rruazat e gjakut tuaj do të rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe në përgjithësi do të jenë kthyer në nivelet normale para ciklit pasardhës të kimioterapisë. Kontaktoni menjëherë me mjekun ose me spitalin tuaj në rast se: • Ju ngrihet temperatura mbi 38˚C (100.5F) • Ndiheni menjëherë jo mirë (dhe kur keni temperaturë normale). Ju do të bëni një test gjaku para se t’i nënshtroheni një tjetër kimioterapie për t’u siguruar se qelizat tuaja e kanë marrë veten. Me raste, mund të jetë e nevojshme që të vononi trajtimin tuaj në rast se numri i rruazave të gjakut është ende i ulët.
Të nxirat dhe gjakderdhja Kimioterapia mund të ulë prodhimin e trombociteve (që ndihmojnë gjakun të mpikset). Bëjani me dije mjekut tuaj nëse keni nxirje ose rrjedhje gjaku të pashpjegueshme.
Anemi (numër i ulët i rruazave të kuqe të gjakut) ndërsa trajtoheni me kimioterapi, ju mund të bëheni anemikë. Kjo mund t’ju bëjë të ndiheni të lodhur e mezi të mbusheni me frymë. Tregojini mjekut ose infermierit tuaj për këtë problem. Të ndjerit të sëmurë (të përzierit) dhe të vjellit Mjeku tani mund t’ju rekomandojë medikamente shumë efektive, anti-emetikë, për të shmangur ose për të ulur ndjesinë e përzierjes dhe të vjellit. Nëse kjo ndjesi nuk kontrollohet ose nëse vazhdon, thojini mjekut tuaj. Ju mund të rekomandoni medikamente të tjera kundër ndjesisë së të vjellit, të cilat mund të kenë më shumë efekt. Disa medikamente kundër sëmundjes mund të shkaktojnë kapsllëk. Tregojuni mjekut ose infermieres tuaj nëse ndodh ky problem. Lodhja Shumë njerëz ndihen shumë të lodhur (të këputur) gjatë kimioterapisë, në veçanti drejt fundit të trajtimit. Ky është një efekt anësor shumë i zakontë dhe është e rëndësishme që të përpiqeni të pushoni sa më shumë të jetë e mundur. Rënia e flokëve Kjo në përgjithësi fillon 3-4 javë pas ciklit të parë në disa skema të kimioterapisë. Flokët në përgjithësi nuk janë të plota. Ju mund të keni dhe hollim ose humbje të vetullave, qerpikëve dhe qimeve në pjesë të tjera të trupit. Rënia e flokëve është e përkohshme, pasi flokët do të rriten sërish pas përfundimit të trajtimit. Gojë e hidhur dhe ndryshim shijesh Goja juaj mund të jetë e hidhur ose e thatë. Ose ju mund të vini re pak ulçër gjatë trajtimit. Të pirët e shumë lëngjeve dhe pastrimi i dhëmbëve në mënyrë të rregullt me një furçë të butë mund të ulë rrezikun e shfaqjes së këtyre shenjave. Tregojini infermieres ose mjekut tuaj nëse keni probleme të tilla, pasi ata mund t’ju japin shpëlarës së posaçëm dhe medikamente të tjera për të parandaluar infeksionin ose për të pastruar infeksionin nga goja juaj. Ju mund të vini re se ushqimi ka tjetër shije. Të shijuarit normal do t’ju kthehet pas mbarimit të trajtimit.
Irritim i fshikëzës Disa kimiopreparate mund t’ju irritojnë fshikëzën. Është e rëndësishme që ju të përdorni sa më shumë lëngje të jetë e mundur (deri në dy litra) gjatë 24 orëve pas kimioterapisë për të parandaluar këtë gjë. Diare Nëse keni diare, ajo mund të kontrollohet lehtë me medikamente. Tregojini mjekut nëse gjendja është e rëndë ose nëse vazhdon. Përpiquni të pini 2-3 litra lëngje në ditë për të zëvendësuar lëngjet që po humbni. Ndryshimet në lëkurë Lëkura juaj mund të bëhet jo elastike dhe e thatë. Mjeku mund t’ju japë një recetë për të ndihmuar në reduktimin e kësaj situate. Rrallë, lëkura juaj mund të errësohet. Nëse errësohet, në përgjithësi ajo kthehet në gjendjen e saj normale pas përfundimit të trajtimit. Gjatë trajtimit, dhe për disa muaj më pas, ju do të jeni i ndjeshëm ndaj diellit dhe lëkura juaj mund të digjet më lehtësisht. Por prapë, mund të dilni në diell, por gjithmonë vini një krem mbrojtës me faktor të lartë dhe mbështilluni me rroba. Ndonjëherë, zona të lëkurës që janë trajtuar me radioterapi mund të bëhen të kuqe dhe të pezmatuara. Thuajini mjekut nëse ndodh një gjë e tillë. Lëkura mbi venën e përdorur për injeksion mund të humbasë ngjyrën e saj. Ndryshimet në thonj Thonjtë tuaj mund të errësohen dhe në to mund të shfaqen vija të bardha. Këto ndryshime shpesh dalin në pah pas disa muajsh pas përfundimit të trajtimit tuaj.
| Informacion i Rëndësishëm për Gripin e Derrave | Çfarë është gripi i derrave dhe si mund të përhapet ai? Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga gripi? Çfarë masash duhet të marrim nëse gripi përhapet më tepër? Çfarë të bëjmë nëse mendojmë se kemi simptomat e gripit? Çfarë mund të bëj për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga gripi? Kliko për më tepër... | Kanceri i mushkërisë |  (Diagnoza e hershme shpëton jetën!)
Kanceri i mushkërisë është një nga problemet kryesore të shëndetit në vendin tonë ashtu si edhe në të gjithë botën... Në ditët e sotme kanceri i mushkërisë është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri për të dy gjinitë. Në vendet e zhvilluara çdo vit numri i personave që vdesin nga kanceri i mushkërisë është më i madh se numri total i personave që vdesin nga kanceri i gjirit, prostatës, zorrës së trashë dhe pankreasit.
Kanceri i mushkërisë është kanceri më ”vdekjeprurës” të cilit i njihet shkaku. Duke u krahasuar me llojet e tjera të kancereve, kanceri i mushkërisë përhapet më shpejt dhe sidomos në fazat e fundit përhapet në kraharor dhe prek edhe organet kryesore për jetën që ndodhen pranë (si p.sh rruga kryesore e frymëmarrjes, zemra, enët kryesore të gjakut, rruga e ushqimit, etj.) ose përhapet me anë të gjakut në organe të tjera të trupit (si p.sh mëlçia, mushkëria tjetër, kockat, truri etj.).
• Në përgjithësi kanceri i mushkërisë zhvillohet në mënyrë të fshehtë dhe nuk jep shenja për një kohë të gjatë. (P.sh në indin sfungjeror të mushkërisë nuk ka nerva për dhimbjen prandaj shumë pacientë nuk kanë dhimbje.) • Disa nga shenjat (kolla, vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllimat në frymëmarrje) ndodhin edhe tek personat që pinë duhan prandaj në shumicën e rasteve konsiderohen “normale”. Për këtë arsye pacientët vijnë vonë tek doktori dhe kjo vonon diagnozën e hershme. • Me një grafi të thjeshtë të mushkërisë dhe ekzaminimin e gëlbazës është e vështirë të diagnostikosh kancerin e mushkërisë në fazat e hershme. • Për arsye ekonomike edhe në vendet e zhvilluara metodat laboratorike dhe radiologjike që janë të vlefshme për diagnostikim të hershëm nuk aplikohen edhe në popullsinë me rrezik të lartë për kancer të mushkërisë.
Duhani dhe kanceri i mushkërisë... Duhani është shkaku kryesor dhe që njihet më mirë në etiologjinë e kancerit të mushkërisë. Nëse pini duhan ja disa nga arsyet pse duhet ta lini duhanin;
• Është vërtetuar se në tymin e duhanit ndodhen afërsisht 4000 lëndë të rrezikshme, 50 nga të cilat janë “kancerogjene” (që shkaktojnë kancer). • 20% e atyre që pinë duhan (një person në çdo pesë veta!) në një periudhë të jetës së tyre diagnostikohen me kancer të mushkërisë. Ata që pinë një paketë në ditë kanë një rrezik 13 herë më të madh për të pasur kancer të mushkërisë në krahasim me ata që nuk pinë duhan. • Kohëzgjatja e pirjes së duhanit, numri i cigareve që pihen në ditë, sasia e katranit që ndodhet në tymin e duhanit dhe kur duhani thithet më thellë ndikojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërisë. Nëse lini duhanin edhe pse në konsumuesit e vjetër të duhanit rreziku i kancerit nuk zhduket plotësisht, ky rrezik ulet për çdo vit që kalon pa pirë duhan. • Ata që nuk pinë, por ndodhen në ambiente të mbyllura me ata që pinë duhan dhe kanë mbetur për një kohë të gjatë nën ndikimin e tymit të duhanit (p.sh. bashkëshortët e personave që pinë duhan janë pirës pasiv të duhanit) kanë një rrezik 2 herë më të madh për kancer të mushkërisë. Për këtë arsye në vendet e zhvilluara janë vendosur rregulla të rrepta për ata që pinë duhan. • Pirja e duhanit, përveç se dëmton zemrën dhe enët e gjakut, shpeshherë dëmton në mënyrë të pakthyeshme bronket dhe vetë mushkërinë dhe bëhet shkak për sëmundje si bronkiti kronik dhe emfizema që shfaqen me mungesë në frymëmarrje. Këto sëmundje ulin në mënyrë të theksuar kapacitetin e frymëmarrjes dhe të kryerjes së ushtrimeve fizike të personit. Kështu që edhe pse i kapur në fazë të hershme kanceri i mushkërisë nuk mund të operohet për këtë arsye.
Kanceri i mushkërisë dhe shkaqe të tjera... Ashtu si çdo njeri që pi duhan nuk preket nga kanceri, shumë rrallë ndodh që kanceri i mushkërisë të zhvillohet edhe në persona që s’pinë duhan.
• “Gjyshi im pinte 3 paketa në ditë dhe vdiq në moshën 95 vjeç nga hemorragjia e stomakut”. Një rast i rrallë si ky nuk duhet të reklamojë duhanin si një gjë të parrezikshme. • “Nuk pinte duhan, por përsëri u prek nga kanceri i mushkërisë”. Nuk duhet të harrojmë që përveç duhanit dhe faktorëve të tjerë kancerogjen (si p.sh rrezatimi, disa lëndë kimike dhe produktet e lëndëve djegëse etj.) edhe kodi gjenetik i personit ka një ndikim të madh në zhvillimin e sëmundjes. • Nëse në familje ka persona me kancer të mushkërisë, pavarësisht se nuk pinë duhan, persona të tillë kanë një rrezik më të madh nga ana gjenetike. Testet që nxjerrin në pah këtë predispozitë gjenetike ende nuk përdoren.
Cilat janë shenjat e shfaqjes së kancerit të mushkërisë? Shenjat e shfaqjes së kancerit të mushkërisë janë të ndryshme. Këto shenja shfaqen edhe në sëmundje të tjera, përveç kancerit të mushkërisë dhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ndonjëherë testet e diagnostikimit nxjerrin në dukje një kancer mushkërie në fazë të hershme. Për këtë arsye nuk duhet të lihen pas dore.
Nëse keni një ose disa nga shqetësimet e mëposhtme mos hezitoni të kontaktoni menjëherë një specialist të sëmundjes së mushkërive (pneumolog). Mos harroni, diagnoza e hershme shpëton jetën!
Shenjat që shfaqen shpesh: • Kollë e pashërueshme • Ndryshim në mënyrën e të kolliturit • Mungesë në frymëmarrje ose frymëmarrje me fishkëllima • Gëlbazë me gjak (në shumicën e rasteve në formë vije të hollë) • Shenjat e pneumonisë: Gëlbazë me erë të keqe ose me ngjyrë të errët, temperaturë, lodhje, mungesë oreksi, rënie në peshë • Dhimbje në kraharor, në kurriz ose në shpatull
Shenja që shfaqen rrallë: • Ngjirje të zërit • Vështirësi në gëlltitje, ndjesi sikur të ngel ushqimi në fyt • Rënie e kapakut të syrit • Lemzë që nuk kalon
Si mund të kapet kanceri i mushkërisë në fazë të hershme? Ajo që ndikon më tepër në suksesin e trajtimit të kancerit të mushkërisë është faza e sëmundjes (shkalla e përhapjes). Sëmundja ka 4 shkallë dhe në përgjithësi ajo që ne quajmë të hershme është shkalla 1. dhe 2. Me një trajtim të përshtatshëm ka një mundësi të madhe për të arritur përmirësim të plotë. Përdorimi i “Tomografisë së Kompjuterizuar Multidetektorë” (skaneri-MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur kancerin e mushkërisë në faza të hershme. • Procedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda. Me një kompjuter të zhvilluar mund të formohen pamje me tre dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. • Me këtë metodë është e mundur të diagnostikohet kanceri i hershëm i mushkërisë në 3% të personave mbi 40 vjeç që pinë 1 paketë në ditë për më shumë se 10 vjet.
Një masë e vogël në mushkëri që quhet “nodul” e diagnostikuar në këtë mënyrë nuk është kancer i mushkërisë. Në rastet e dyshuara para se të planifikohet një trajtim i saktë duhet patjetër të bëhet biopsi për të vënë diagnozën. Metodat e përdorura për këtë: • Biopsi me gjilpërë (që kalon nga muri i kraharorit) • Video-Bronkoskopi (pamja e rrugëve të frymëmarrjes me një kamera) • Mediastinoskopi (marrja e gjëndrave limfatike rreth rrugës së frymëmarrjes) • Video-Torakoskopi (pamja e hapësirës së kraharorit me një kamera)
Si bëhet klasifikimi i kancereve të mushkërisë? Pasi të vendoset diagnoza e saktë duhet të përcaktohet si të trajtohet sëmundja. Për këtë duhet të përdoren disa metoda të tjera. Këto janë: • Rezonanca Magnetike (për trurin, kraharorin) • Positron Emission Tomography (PET) • Ultrasonografi • Shintigrafia e kockave • Mediastinoskopi për përcaktim të shkallës së tumorit (biopsi e gjëndrave linfatike)
Cilat janë mënyrat e trajtimit të kancerit të mushkërisë? Dy fazat e para të kancerit të mushkërisë si edhe disa raste të përzgjedhura të fazës së tretë trajtohen duke nxjerr me operacion pjesën e kancerit bashkë me një pjesë të mirë të mushkërisë që e rrethon atë. Kjo është e vetmja metodë trajtimi efektiv që zgjat jetën e pacientit. Llojet e operacioneve më të shpeshta që bëhen për këtë qëllim: • Lobektomi: Nxjerrja e një pjese të mushkërisë. • Pneumonektomi: Nxjerrja e njërës prej mushkërive. (Trupi i njeriut ka dy mushkëri: e majta dhe e djathta.)
Këto operacione gjithmonë e më tepër bëhen me video-torakoskopi (pamja e hapësirës së toraksit me një kamera). Me këtë metodë pacienti ka më pak dhimbje pas operacionit dhe qëndron më pak i shtruar në spital.
Kurse në fazën e katërt sëmundja është më e përparuar dhe metodat që përdoren janë për trajtim ndihmës që të rrisin kualitetin e jetesës. Llojet e operacioneve apo ndërhyrjeve kirurgjikale që bëhen për këto raste: • Heqja e lëngut që mblidhet në hapësirën e kraharorit (toraksit) dhe parandalimi i formimit përsëri të këtij lëngu; o Heqje të lëngut me kateter ose me tub toraksi o Përdorimi i një “by-pass”i midis toraksit dhe barkut (Shunti) o Ngjitja e cipës së mushkërisë me lëndë kimike o Heqja e cipës së mushkërisë
• Për hapjen e rrugëve të frymëmarrjes kur janë të bllokuara nga tumori mund të përdoren një ose disa nga këto mënyra; o Elektrokoter o LAZER o Radiofrekuencë (RF) o Krioterapi o “Stent” trakeo-bronkiale
Tek këta pacientë ngaqë nuk është e mundur heqja e tumorit duhet të jepet ilaç shtesë (kimioterapi) ose rreze (radioterapi) vetëm ose të dyja bashkë. Këto trajtime mund t’u rekomandohen disa pacientëve para ose pas operacionit.
Si do të jetë kualiteti i jetesës time pas operacionit? A do të më mjaftojë pjesa e mbetur nga mushkëria? Qëllimi i kirurgjisë është të nxjerri gjithë pjesën e kancerit dhe t’i ofrojë pacientit një jetesë të rehatshme me një kapacitet të pranueshëm të frymëmarrjes dhe të ushtrimeve fizike. Për të mënjanuar sa më shumë pakënaqësitë pas operacionit dhe për të parashikuar sa më mirë kualitetin e jetesës këto janë disa nga testet që duhen bërë kur pacienti përgatitet për operacion: • Spirometri (testet e funksioneve pulmonare) • Analiza e gazeve të gjakut • Testi i ecjes për 6 minuta • Ergospirometri • Shintigrafia e perfuzionit • Matja e kapacitetit të difuzionit • Matja e harxhimit të oksigjenit • Ekokardiografi • Angjiografi koronare
Rrini larg cigares dhe tymit të duhanit! Nëse pini duhan dhe nëse keni rrezik tjetër për zhvillimin e kancerit mos hezitoni të kontaktoni me mjekun për çdo ankesë që mund të keni në lidhje me frymëmarrjen!
Mos u besoni fjalëve si “Kanceri nuk preket me thikë”! E vërteta është se: “Thika nuk është për çdo lloj kanceri”. Na e lini neve ta marrim këtë vendim së bashku, duke përdorur teknologjinë më moderne mjekësore sipas kërkimeve më të fundit shkencore!
| Defekti interventrikular (DIV) |  Defekti septal interventrikular ka të bëjë me një ose me shumë hapësira të krijuara në murin që ndan ventrikulin e majtë nga ai i djathti. DIV është defekti kongjenital (i lindur) më i shpeshtë.Mund të jetë i izoluar ose i lidhur me defekte të tjerë kongjenitale.
Shkaqet Përpara se fëmija të lindë, ventrikuli i majtë dhe ai i djathtë nuk janë të ndarë. Gjatë rritjes së fetusit fillon të formohet një mur ndarës midis ventrikulëve. N.q.s ky mur nuk formohet tërësisht, mbetet një hapësirë. Kjo hapësirë njihet si defekt septal interventrikular ose DIV. Defekti ventrikular septal është defekti më i shpeshtë ndër defektet e zemrës. Fëmija mund të mos ketë simptoma, dhe hapësira mund të mbyllet mbas një farë kohe mbas lindjes. N.q.s defekti është i madh, shumë gjak pompohet drejt mushkërive duke çuar në insuficiencë kardiake. Këta fëmijë kanë simptomat e insuficiencës së zemrës dhe kërkojnë mjekim për të kontrolluar simptomat dhe kirurgji për të mbyllur defektin. Defekti mund të mbyllet edhe pa kirurgji, nëpërmjet kateterizimit kardiak. Shkaqet e DIV janë akoma të panjohura. Ky defekt shpesh shoqërohet me defekte të tjera kongjenitale. Te të rriturit, DIV janë të rralla, por komplikacione serioze të infarkteve kardiake. Këto defekte lidhen me infarktin dhe jo nga një defekt në lindje.
Simptomat Pacientët me DIV mund të mos kenë simptoma. Simptomat me të shpeshta janë: • Shkurtim të frymëmarrjes; • Shpeshtim të frymëmarrjes; • Vështirësi në frymëmarrje; • Shpeshtim të frekuencës së zemrës; • Mos shtim në peshë; • Zbehtësi; • Djersitje gjatë ushqimit; • Infeksione në rrugët e frymëmarrjes.
Ekzaminimi Dëgjimi me stetoskop zakonisht tregon një zhurmë në zemër (zhurma e gjakut që mbyll defektin). Madhësia e tingullit është e lidhur me madhësinë e defektit dhe me sasinë e gjakut që mbyll atë. Radiografia e mushkërive -- tregon nëse zemra është e zmadhuar dhe nëse ka lëng në mushkëri. ECG – tregon shenja të zmadhimit të ventrikulit të majtë të zemrës. Ekokardiograma – përdoret për të vendosur diagnozën definitive. Kateterizimi kardiak (përdoret rrallë, vetëm n.q.s ka të dhëna për hipertension pulmonar, ku kirurgjia për të mbyllur defektin nuk është e rekomanduar). MRI e zemrës – tregon se sa gjak shkon në mushkëri.
Trajtimi N.q.s defekti është i vogël, nuk nevojitet trajtim. Megjithatë, fëmija duhet të monitorohet nga një mjek i kujdesit të shëndetit për të siguruar mbylljen e defektit dhe mosshfaqjen e shenjave të insuficiencës kardiake. Doktori mund të përshkruajë mjekime si digitali (digogsina) dhe diuretikë për insuficiencën kardiake. Pavarësisht madhësisë së defektit të gjithë fëmijët me defekt interventrikular duhet të përdorin antibiotikë përpara se të kryejnë procedura si heqja ose punimi i dhëmbëve dhe përpara procedurave të tjera invazive. N.q.s simptomat vazhdojnë pavarësisht mjekimit ose n.q.s DIV çon drejt infeksionit të zemrës, kirurgjia për të mbyllur defektin me një patch Gore-tex është e nevojshme. Disa DIV mund të mbyllen nëpërmjet kateterizimit me një pajisje të veçantë. Kirurgjia kur nuk kemi simptoma është e diskutueshme.
Prognoza Shumë defekte të vogla mund të mbyllen vete me kalimin e kohës. Në ato defekte që nuk mbyllen spontanisht prognoza është e mirë kur i mbyllim me kirurgji. Komplikacionet mund të ndodhin kur një defekt i gjerë nuk trajtohet.
Komplikacione të mundura: • Insuficienca e zemrës; • Endokardit infektiv (infektimi bakterial i zemrës); • Insuficienca e aortës; • Dëmtimi i rrugëve elektrike (aritmi); • Vonesë në rritje dhe zhvillim; • Hipertension pulmonar (presion i lartë në mushkëri) që çon në insuficiencë të anës së djathtë të zemrës.
Kur mund të kontaktojmë një mjek specialist? Shumë shpesh ky defekt diagnostikohet gjatë një ekzaminimi rutinë të fëmijës. Njofto mjekun e kujdesit primar, n.q.s fëmija ka vështirësi në frymëmarrje, ose n.q.s fëmija vuan shpesh nga infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes.
Parandalimi Përveçse në rastet e infarktit të zemrës DIV është gjithmonë prezent në lindje. Pirja e alkoolit dhe përdorimi i medikamenteve antikonvulsive si depakot dhe dilantin gjatë shtatzënisë lidhen me një incidencë të rritur të DIV në fëmijë. Përveçse të parandalojmë përdorimin e këtyre medikamenteve në shtatzëni nuk njihen rrugë të tjera parandalimi.
Aneurizma e aortës Aneurizma e aortës ndodh kur kemi dobësim të murit vazal dhe fryrje të tij në këtë nivel. Aorta është ena më e madhe e gjakut në organizmin tonë. Shtrirja e saj është nga zemra në pjesën e poshtme të barkut, ku ndahet në dy degë, secila kalon në çdo gjymtyrë. Aneurizmat e aortës zakonisht ndodhin në bark dhe quhen aneurizmat abdominale. Disa ndodhin në kraharor dhe quhen aneurizma torakale.
Si ndodh një aneurizëm? Kur një pjesë e murit të vazës dobësohet, ena zgjerohet. N.q.s aneurizma vazhdon të zmadhohet, muret e aortës mund të hapen dhe të shkaktohet rupturë ose çarje të saj. Çarja e papritur shpesh mund të shkaktojë vdekje. Arteroskleroza është shkaku më i shpeshtë i aneurizmave. Yndyrat, kolesteroli, kalciumi dhe substanca të tjera të gjakut grumbullohen në brendësi të mureve të aortës. Pllakat arterosklerotike dobësojnë muret e aortës dhe presioni i shkaktuar nga gjaku që kalon në të shkakton fryrjen e saj në këtë nivel. Hipertensioni mund të shpeshtojë procesin, por nuk është shkaktar. Sëmundje si endokardi infeksioz, sindroma Marfan, artriti reumatoid, etj mund të jenë shkaktarë të aneurizmit. Aneurizmat janë familjare dhe më shpesh hasen në duhanpirësit.
Cilat janë simptomat? Aneurizma mund të mos shkaktojë simptoma për një kohë të gjatë. Kur mund të kemi simptoma ato mund të jenë të ndryshme në varësi të pozicionit që ndodhet aneurizma, p.sh një aneurizëm abdominale mund të japë dhimbje në stomak ose në kurriz. Një aneurizëm torakale mund të shkaktojë dhimbje gjoksi nga shtypja që ajo i bën pulmonëve. Dhimbje të fortë, të papritura të kurrizit ose të gjoksit nënkuptojnë një çarje të aortës. Shumica e njerëzve nuk dinë që kanë një aneurizëm deri në momentin e çarjes së saj. Rupturat e aortës konsiderohen urgjenca.
Si vendoset diagnoza? Shumica e aneurizmave të aortës diagnostikohen nga mjeku i kujdesit primar gjatë një ekzaminimi rutinë. Aneurizma ndihet si një fryrje e butë që pulson në çdo ritëm të zemrës. N.q.s mjeku mendon që aneurizma mund të rrjedhë ose të jetë carë, mund të bëhet një ekokardiogramë ose një Skaner CT.Ekokardiograma, Skanerët CT dhe MRI matin përmasat e aneurizmës për të parandaluar çarjen e saj (sa më e madhe aneurizma, aq më i madh rreziku i saj për t’u çarë). Mund të bëhet gjithashtu dhe një angiogramë e aortës.
Si trajtohet një aneurizëm? Kirurgjia indikohet në rastin e aneurizmit të aortës kur ai shkakton simptoma ose kur është më e madhe se 5 cm. Operacioni quhet aneurismektomi dhe grafting. Kirurgu bën një prerje në kraharor ose në abdomen, heq pjesën e zgjeruar dhe të dëmtuar të aortës dhe e zëvendëson atë duke përdorur një patch ose graft. Një tjetër metodë kirurgjikale quhet graft endovaskular. Një tub i hollë fleksibël (kateter) futet në enën e gjakut në pjesën e sipërme të kofshës. Në majë të tubit ndodhet një balonë e mbuluar me një graft. Kur kateteri arrin vendin e duhur grafti hapet dhe duke qenë se është më i gjerë se vendi i dëmtuar, grafti ngjitet me muret e enës, dhe mbron aortën nga ruptura. Kjo metodë përdoret vetëm në rastet e jo emergjencave. Ruptura e aortës kërkon procedurë kirurgjikale emergjente. Aneurizmat e vogla nevojiten që të kontrollohen. Në qoftë se gëzon shëndet të mirë, por ke një aneurizëm që nuk të shkakton simptoma nuk të nevojitet një operacion. Duhet të këshillohesh me mjekun tënd për të marrë kurën e nevojshme për trajtim. Një operacion i suksesshëm i një aneurizmi që nuk ka dhënë rupturë në shumicën e rasteve nuk ripërsëritet. Mund të ripërsëritet vetëm në ata individë që vuajnë nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese që shkaktojnë aneurizma të enëve të gjakut në të gjithë organizmin.
Si ndalohet formimi i një aneurizmi? • Kontrolli i rregullt i kolesterolit në gjak dhe i presionit të gjakut; • Ndalimi i pirjes së duhanit; • Rënia në peshë, n.q.s je mbipeshë; • Aktivitet fizik; • Dietë të pasur me fibra; • Ulje të stresit mendor.
Administrimi i një aspirine një herë në ditë, n.q.s rekomandohet nga mjeku. Mjeku mund të përshkruajë dhe një mjekim për të ulur progresin e sëmundjes arteriale.
| Transplanti i veshkës: Pyetjet më të shpeshta |  1. Cili është kufiri i moshës për dhuruesin? Dhuruesi duhet të jetë mbi 18 vjeç, kurse për kufirin e sipërm varet nga gjendja shëndetësore e personit, në bazë të ekzaminimeve kjo moshë mund të jetë deri në 70 vjeç. Edhe pse në moshë të madhe një pacient mund t’i ketë funksionet renale si një i ri i shëndetshëm.
2. A është e rëndësishme përputhja indore dhe grupi i gjakut? Është e rëndësishme përputhshmëria indore. Për grupin e gjakut: Grupi AB Rh(+) është marrës gjeneral, 0 Rh(-) është dhurues gjeneral. P.sh. një pacient me grup gjaku B Rh(+) merr nga 0 Rh(+), 0 Rh(-), B Rh(+) dhe B Rh(-). Përputhshmëria indore sa më shumë e ngjashme të jetë (6/6), aq më i suksesshëm është transplanti, por dhe në raste të papërshtatshme (0/6) janë kryer transplante të suksesshme.
3. Kur përfundon mundësia e flakjes së veshkës së transplantuar? Flakja e veshkës është më e shpeshtë nga dita e 5-të deri në ditën e 14-të. Një mjekim i saktë, një rregullim dozash e ul shumë mundësinë e flakjes së veshkës së transplantuar. Megjithatë për një grup shumë të vogël pacientesh edhe pse bëhet çdo kujdes, risku për flakje mund të ndodhë dhe pas shumë vitesh. Për pacientë që kanë rritje të azotemisë dhe kreatinemisë rekomandohet të kryhet biopsia renale.
4. A ka ndryshim midis dhuruesit të gjallë dhe atij kufomë? Kur dhuruesi është i gjallë dhe me lidhje gjaku me pacientin, atëherë teknika e operacionit dhe përputhshmëria janë kritere favorizuese për pacientin, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh duke e krahasuar me një dhurues kufomë me përputhshmëri të lartë.
5. Për sa kohë funksionon një veshkë e transplantuar? Për pacientë me dhurues të gjallë dhe me lidhje familjare koha e funksionimit të veshkës është pa fund (deri sa të jetojë marrësi). Një veshkë që merret nga një kufomë me një përputhshmëri minimale është dhjetëra vjet. Përderisa koha është e ndryshme në pacientë të ndryshëm nuk mund të vihet kufij në kohë.
6. Pacientët për sa kohë do të përdorin ilaçe? Këta pacientë do përdorin ilaçe gjatë gjithë jetës, por bëhen ndryshime në dozë dhe në numër ilaçesh të përdoruara.
7. Një pacient me veshkë të transplantuar, në jetën e përditshme a do ketë ndonjë kufizim të veçantë? Pacientët që kanë veshkë të transplantuar nuk kanë asnjë kufizim, ata kanë një mënyrë jetese normale, por duhet të rrinë larg njerëzve që kalojnë infeksione gripale, duhet t’i lajnë duart shpesh, dhe të mënjanojnë përqafimet e ngushta. Këta pacientë kur futen në mjedise me shumë njerëz, p.sh. në spitale duhet të vendosin maskë, duhet të qëndrojnë larg duhanpirësve dhe mund të kenë lidhje seksuale normale si çdo individ.
8. Për dhuruesin që do mbetet me veshkë të vetme çfarë rreziku ka? Në gjithë botën nga më shumë se 100.000 transplante për dhuruesit ka një përqindje shumë afër 100% që jetojnë një jetë të shëndetshme.
| Çarja e aortës |  Çarja e aortës është një gjendje kërcënuese për jetën e karakterizuar nga gjakderdhje në brendësi dhe përgjatë mureve të aortës, vazës së gjakut me madhësi më të madhe që del nga zemra. Çarja e aortës ndodh afërsisht me një shpeshtësi 2 individë në 10000 mijë. Mund të prekë këdo, por ndodh më shpesh në meshkuj të moshave 40-70 vjeç.
Shkaqet Çarja e aortës shpesh ndodh nga një dëmtim në murin e brendshëm të aortës. Kjo zakonisht ndodh në zonën torakale të aortës, por mund të ndodhë në zonën abdominale të saj. Aorta ka disa degë përgjatë të cilave qarkullon gjaku. Çarja klasifikohet si tip A dhe B, në varësi se ku fillon dhe ku mbaron demtimi. Tipi A fillon në pjesën fillestare (ngjitëse) të aortës dhe në mënyrë të veçantë lëviz në një pjesë tjetër të kraharorit. Tipi B fillon në pjesën e fundit (zbritëse) të aortës dhe lëviz poshtë në abdomen. Kur gjakderdhja fillon, ajo krijon dy kanale: një në të cilin gjaku ecën dhe tjetri ku gjaku rri në vend dhe grumbullohet. Duke u rritur çarja e aortës, kanali me gjakun e palëvizshëm rritet dhe shtyp degë të tjera të aortës. Një çarje aorte mund gjithashtu të zgjerojë dhe rrisë një lumen aorte dhe të krijojë aneurizëm të saj. Shkaku ekzakt është i panjohur, por rreziqet përfshijnë arterosklerozën dhe presionin e lartë të gjakut. Dëmtimet traumatike janë shkaqet më madhore të çarjes së aortës, në mënyrë të veçantë traumat jo penetruese të kraharorit që vijnë sidomos nga aksidentet automobilistike.
Rreziqe të tjera të lidhura me zhvillimin e çarjet të aortës janë: • Bikuspidia e valvulës të aortës; • Koarktacioni i aortës; • Kirurgjia e zemrës; • Shtatzania; • Sindroma e Marfan; • Etj.
Simptomat Simptomat zakonisht fillojnë në mënyrë të papritur, me dhimbje të forta kraharori. Dhimbja mund të ndihet nën brinjë, të përhapet nën dhe përgjatë shpatullës ose në zonën e kurrizit. Në disa raste mund të përhapet në qafë, krah, nofull, dhe deri në ekstremitetet e poshtme. Zakonisht kur dhimbja përhapet në krah ose në këmbë çarja e aortës përkeqësohet. Simptoma të tjera mund të jenë: konfuzion, çorientim, ulje të lëvizshmërisë dhe të ndjeshmërisë në pjesë të ndryshme të trupit, marrje mendsh, tharje goje, etje, të fikët, të vjella, zbehje, takikardi, shkurtim dhe vëdhtirësi në frymëmarrje, etj. Testet dhe ekzaminimet Ekziston nje diferencë e presionit midis krahut të majtë dhe të djathtë, ose midis gjymtyrëve të sipërme dhe te poshtëme. Mund te kemi një ulje te presionit te gjakut, fryrje të venave te qafës dhe shënja që ngjajnë me një atak kardiak. Mund të shfaqen dhe shënjat e shokut por me një presion gjaku normal. Disekimi i aortës ose aneurizma e saj mund te shihen me: Angiografi të aortës Grafi pulmoni MRI e toraksit CT e toraksit Echo dopler Echo transezofageale
Trajtimi Qëllimi i trajtimit është të parandalohen ndërlikimet. Tipi A i çarjes kërkon kirurgji, rregullim dhe zëvendësim të zonës së dëmtuar të aortës, tipi B mund të kurohet me mjekim medikamentoz. Medikamente që ulin presionin e gjakut mund të përshkruhen dhe të jepen në rrugë venoze. Qetësues për dhimbjet; Beta-bllokuesit; Komplikacionet Rupture e aortës që con në humbje të gjakut dhe shok Trombe Tamponadë e zemrës Insuficiencë renale Infarkt kardiak Infarkt cerebral Parandalimi Trajtimi adekuat dhe kontrolli i aterosklerozës dhe i presionit të lartë të gjakut mund të ulër riskun për disekim të aortës. Medikamente si bllokuesit e receptorëve te angiotenzinës, inhibitorët e ACE dhe beta bllokuesit mund te ulin këtë risk.
| KIRURGJIA REFRAKTIVE | Ç’është kirurgjia refraktive? Është një procedurë kirurgjikale e cila eliminon në mënyrë përfundimtare nevojën për të mbajtur syze apo lente kontakti. Metoda e përdorur zakonisht quhet LASIK (LASER–Assisted In Situ Keratomileusis), e cila konsiston ne ndryshimin e formës së kornesë nëpërmjet aplikimit të excimer lazerit.
Shikimi normal Në kushtet e shikimit normal, kornea dhe kristalini e përthyejnë dritën dhe e fokusojnë atë në retinë dhe në këtë mënyrë imazhi që shikoni është i qartë. Çdo devijim i kësaj përthyerjeje normale njihet si e metë refraktive.
Miopia Ndodh kur gjatësia aksiale e syrit është më e madhe se normalisht. Për pasojë rrezet e dritës përthyhen përpara retinës, në vend që të përthyhen mbi të. Miopi shikon mirë afër dhe turbullt në largësi. Miopia korrigjohet duke përdorur syza konvekse (numër minus)
Hipermetropia Ndodh kur gjatësia aksiale e syrit është më e vogël se normalisht. Për pasojë rrezet e dritës përthyhen prapa retinës. Në moshat e reja dhe në hipermetropinë e ulët syri mund ta kompensojë korrigjimin duke u sforcuar. Ky sforcim i vazhdueshëm krijon dhimbje koke të cilat eliminohen pas vendosjes së korrigjimit. Hipermetropia korrigjohet duke përdorur syza konkave (me numër plus).
Astigmatizmi Astigmatizmi i zakonshëm ndodh kur rrezet e dritës përthyhen në më shumë sesa një pikë të retinës. Për pasojë imazhi i përftuar në retinë është i turbullt. Ai korrigjohet me syze cilindrike të cilat korrigjojnë numrin në një aks të caktuar.
Teknika Lasik Kandidatët për kryerjen e kësaj procedure janë: • Personat nga mosha 18 deri në 60 vjeç • Personat që nuk u ka ndryshuar numri i syzeve për të paktën një vit. • Personat me miopi deri në 10 dioptri • Personat me miopi me astigmatizëm deri në 5 dioptri • Personat me hipermetropi deri në 4 dioptri dhe astigmatizëm hipermetropik Për pacientë me numra më të mëdhenj se ata të përmendur më sipër eliminimi përfundimtar i korrigjimit realizohet me anë të vendosjes së lentave intraokulare (të cilat vendosen gjatë ndërhyrjes kirurgjikale dhe janë definitive për të gjithë jetën)
Excimer Laser nuk është i përshtatshëm në rastin e: • Keratokonit • Uveitit • Trashësisë së pamjaftueshme të kornesë • Periudhës së shtatzënisë
Procedura Realizohet nën anestezi lokale. Në sy hidhen disa pika për të mpirë sipërfaqen e kornesë. I tërë trajtimi zgjat vetëm rreth 15 minuta. Etapa e parë e LASIK konsiston në prerjen e një shtrese shumë të hollë në sipërfaqen e kornesë nëpërmjet një aparati të quajtur mikrokeratom. Ky realizon prerje shumë të holla, me një trashësi prej rreth 160 mikronësh, (rreth 1/3 e trashësisë së flokut të njeriut) dhe një diametër prej 9 milimetrash (shumë më i gjerë sesa pupilla). Kjo fletë e hollë, e quajtur flap, hidhet anash duke ekspozuar shtresën qendrore të kornesë, aty ku aplikohet trajtimi me lazer. Përpara trajtimit, kirurgu mat me kujdes përmasat e kornesë dhe përgatit një plan kurimi, sipas të cilit programohet aplikimi i lazerit për të arritur korrigjimin e dëshiruar të shikimit. Aplikimi i lazerit zgjat afërsisht një minutë dhe pastaj flap-i i prerë ripozicionohet, mbi shtresën e trajtuar të kornesë. Duke qenë se kornea ka cilësi të posaçme ngjitjeje, shtresa bashkohet me sipërfaqen nën të pa pasur nevojë për sutura (qepje). Pas përfundimit të trajtimit syri nuk ka nevojë për fashim. Pamja është e qartë qysh të nesërmen. Një mjekim lokal me pika në sy për një javë është i nevojshëm pas operacionit.
Kujdesi para operacionit Të ndërpritet mbajtja e lentave të kontaktit me numër të vogël të paktën 15 ditë përpara operacionit .Femrat duhet të shmangin makijazhin një ditë përpara trajtimit.
Analiza të posaçme pre-operatore Një ekzaminim komplet oftalmologjik ku përfshihen sa më poshtë : • Refraksioni (përcaktimi i saktë i korrigjimit) • Toporafia korneale (studimi i formës së kornesë) • Pakimetria (matja e trashësisë së kornesë) është i domosdoshëm para operacionit
Ekzaminimi në të njëjtën ditë pas trajtimit Ekzaminohen sytë disa minuta pas procedurës për t’u siguruar që jeni komodë dhe të gatshëm për të nisur mjekimet pas ndërhyrjes.
Trajtimi pas operacionit Të nesërmen e operacionit pacienti paraqitet në klinikë për ekzaminimin e dytë. Përmirësimi i shikimit është i dukshëm që të nesërmen e operacionit dhe mund t’i ktheheni veprimtarisë suaj normale.
Pyetje të shpeshta 1- Sa zgjat procedura LASIK? ASIK realizohet në kushte sterile, në sallën e operacionit dhe zgjat përreth 5 deri në 7 minuta për çdo sy, apo 15 minuta për të dy sytë.
2- Është i përhershëm efekti i kirurgjisë LASIK? Po. Trajtimi është definitiv dhe zgjat gjithë jetën.
3- Do të kem nevojë për syze për afër pas trajtimit? Përgjithësisht, pas trajtimit, pacientët nën 45 vjeç lexojnë mire edhe pa syze. Nevoja e mbajtjes së syzave për lexim afër (presbiopia) vjen si rezultat i dobësimit natyror të muskujve të syrit dhe është një proces normal që ndodh tek të gjithë njerëzit pas moshës 45 vjeç pavarësisht nëse kanë kryer procedurën LASIK apo jo.
4- Sa kohë pas trajtimit mund të bëj banjë apo dush? Kirurgu që ju ka bërë trajtimin LASIK do t’ju këshillojë lidhur me këtë hollësi; sidoqoftë, ju mund të bëni banjë që ditën e trajtimit, por duhet të tregoni kujdes që të shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë të syve me sapunin apo ujin 5 ditët e para. Është shumë e rëndësishme të mos fërkohen sytë gjatë muajit të parë pas trajtimit kirurgjikal.
5- Sa kohë pas trajtimit mund ta drejtoj makinën? Ditën e trajtimit nuk duhet ta drejtoni automjetin. Më pas,mund ta drejtoni kur të ndiheni të sigurt se qartësia e shikimit dhe gjendja e syve bën të mundur që ta bëni këtë në mënyrë të sigurt.
6- Kur mund të përdor makijazh? Mund të filloni të përdorni sërish makijazh tek sytë 2 javë pas trajtimit të kryer. Rekomandohet që të blini produkte të reja makijazhi, sidomos rimelin, për të shmangur infeksione të mundshme pas trajtimit.
7- Kur mund të notoj? Nuk duhet të notoni në pishinë apo det për një muaj pas trajtimit.
8- Çfarë lloj anestezie përdoret gjatë trajtimit? Për mpirjen e syrit përdoren pika. Ndonjëherë, përdoret edhe mjekim nga goja për të ndihmuar pacientin të qetësohet. Mos u shqetësoni – nuk përdoret age apo injektim i ilaçeve në rrugë intravenoze.
9- A mund të trajtohen të dy sytë në njëjtën kohë? Trajtimi LASIK kryhet te të dy sytë brenda një dite.
10- Shkakton dhimbje trajtimi LASIK? Trajtimi LASIK është një procedurë pa dhimbje dhe kryhet nën anestezi lokale me pika të cilat e mpijnë sipërfaqen e syrit.
11- Do të kem dhimbje pas trajtimit LASIK? Nuk ndihet dhimbje, disa pacientë përjetojnë një ndjesi djegieje apo kruarje përgjithësisht, nga një deri në tre orë pas trajtimit.
12- Sa kohë pas trajtimit kirurgjikal do të shoh qartë? Mjekimi me pika në sy krijon pak mjegullim, por pjesa më e madhe e pacientëve ndiejnë përmirësim të ndjeshëm të pamjes menjëherë pasi largohen nga klinika. Shikimi arrin maksimumin të nesërmen e operacionit.
13- Do t’i mbaj sytë të fashuar? Jo, nuk është e nevojshme të fashohet syri pas operacionit.
14- Kur mund të kthehem në punë? Pjesa më e madhe e pacientëve i kthehen punës me kohë të plotë që të nesërmen e trajtimit. Rrallë kërkohet që të pritet një ditë apo dy për t’iu kthyer punës. Nëse mundeni, është e rekomandueshme të prisni nja dy ditë.
15- Do të kem nevojë për syze apo lente kontakti pas trajtimit LASIK? Synimi i kirurgjisë refraktive është të ofrojë shikim të kënaqshëm pa pasur nevojën për syze dhe/ose lentet e kontaktit. Në raste të numrave të mëdhenj (përtej kufijve të përcaktuar më lart) mund të ketë një numër rezidual i cili do të kërkojë përdorimin e syzeve gjatë leximit
16- Cilat janë komplikacionet që mund të ndodhin gjatë LASIK? • mbetja e nevojës për korrigjim edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale (kjo sidomos në rastet e numrave të mëdhenj mbi + 6 apo – 10 apo cilindër më i madh se 4), e cila mund të kërkojë një ritrajtim të dytë pas 6 muajve • shikimi i rrathëve ylberore • deformimi i figurave, rënia e pjesshme e kapakut të sipërm • skuqja e syrit për rreth një javë pas operacionit • dderi më sot nuk është raportuar asnjë rast për humbje të pamjes apo të syrit gjatë LASIK.
| REZONANCA E GJIRIT PËR HERË TË PARË NË SPITALIN AMERIKAN |  Rezonanca Magnetike e Gjirit: ofron informacion të vlefshëm rreth shumë patologjive të gjendrës mamare që nuk mund të merren përmes modaliteteve të tjera të imazherisë, siç janë mamografia dhe eko e gjirit duke çuar në diagnozën e saktë. Kjo metodë rekomandohet sidomos për pacientët me kancer te gjirit per planifikimin e kirurgjise dhe në ndjekjen postoperatore te tyre për diagnostikimin e rekurencave dhe kancerit të ri në gjirin tjetër. RM e gjirit rekomandohet sidomos per depistimin e grupit me rrezikshmeri te larte per kancer te gjirit sic jane pacientet me histori kanceri ne familje( nena,motra etj). Kjo metodë vjen për herë të parë dhe të vetme në Shqipëri në Spitalin Amerikan.
ÇFARE ESHTE REZONANCA MAGNETIKE? Imazheria e rezonancës magnetike është një ekzaminim mjekësor jo invaziv, i padhembshëm që ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme kur metodat e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme. Rezonanca Magnetike, pra RM, përdor fushë të fuqishme magnetike, valë radioje dhe një kompjuter për të prodhuar pamje të detajuara të organeve, indeve të buta, kockave dhe virtualisht të gjitha strukturave të tjera të brendshme të trupit. RM nuk përdor rrezatim të jonizuar (rrezet x). Imazhet e detajuara të RM i mundësojnë mjekut të vlerësojë më mirë pjesët e trupit dhe sëmundje të veçanta që nuk mund të përcaktohen në mënyrë të përshtatshme me metodat e tjera të imazherisë si rreze x, ultratingujt ose tomografinë e kompjuterizuar (e quajtur edhe CT ). Aktualisht RM është ekzaminimi më i ndjeshëm i imazherisë së kokës (veçanërisht trurit) rutinë në praktikën mjekësore.
RM është zgjidhja më e mirë për ekzaminimin e: Artikulacioneve kryesore të trupit si gjuri, shpatulla, kyçi i dorës e i këmbës etj shtyllës kurrizore për sëmundje të diskut indeve te buta të ekstremiteteve (muskujt dhe kockat)
Cilat janë disa nga përdorimet e zakonshme të procedurës? Rezonanca Magnetike e kokës kryhet për të ndihmuar diagnostikimin e: tumoreve të trurit anomalive të zhvillimit të trurit patologjive vaskulare të kokës (p. sh. aneurizmat) çrregullimet e syve dhe të veshit të brendshëm infarktit cerebral pacientët e traumatizuar (në pacientë të veçantë) sëmundjet e gjëndrës së hipofizës disa çrregullime kronike të sistemit nervor siç është skleroza multiple
Rezonanca Magnetike e sistemit muskuloskeletal përdoret për të diagnostikuar apo vlerësuar: çrregullimet degjenerative të kyçeve, siç është artriti, këputjet e meniskut (gjurit) frakturat (në pacientë të veçantë) patologjitë e kyçeve për shkak të traumave (p. sh. këputje e tendinit) patologjitë e diskut spinal (p. sh, hernia diskale) dëmtimin e shtyllës kurrizore pas traumave dëmtimet e lidhura me sportin dhe çrregullimet e lidhura me punën të shkaktuara nga sforcimi i përsëritur, vibrimi ose goditjet e fuqishme infeksionet (p. sh. osteomieliti) tumoret (p. sh. tumoret fillestare dhe metastazat) që përfshijnë kockat dhe kyçet dhimbjen, ënjtjen ose hemorragjinë në indet brenda dhe përreth kyçeve dhe kockave
Rezonanca Magnetike gjithashtu përdoret për të diagnostikuar: tumoret e kraharorit, abdomenit ose pelvisit sëmundjet e arteries koronare dhe problemeve të zemrës, përfshirë aortën, arteriet koronare dhe enët e gjakut, ekzaminimi i përmasave dhe trashësisë së dhomave të zemrës dhe shtrirja e dëmtimit e shkaktuar nga infarkti i miokardit (MI) ose sëmundje progresive e zemrës. patologjitë funksionale dhe anatomike të zemrës. tumoret dhe anomalitë e tjera të organeve riprodhuese (p. sh. uterusin, ovaret, testikujt, prostatën). lezione të mëlçisë ose organeve të tjera (kur diagnoza nuk arrihet me teknika të tjera). anomali dhe sëmundje vaskulare, arteriale dhe venoze kongjenitale (p. sh. arteroskleroza) të kraharorit, abdomenit dhe pelvisit (Angiografia RM). MRCP Nepermjet rezonances magnetike eshte e mundur dhe vizualizimi i rrugeve biliare ne menyre joinvazive dhe pa nevoje kontrasti. Kjo metode moderne quhet MRCP dhe eshte nje alternative e ERCP invazive qe perdoret ne diagnostikimin e gureve apo masave tumorale te koledokut dhe kanalit te pankreasit.
Rezonanca Magnetike e Gjirit ofron informacion të vlefshëm rreth shumë patologjive të gjendrës mamare që nuk mund të merren përmes modaliteteve të tjera të imazherisë, siç janë mamografia dhe eko e gjirit duke çuar në diagnozën e saktë. Kjo metodë rekomandohet sidomos për pacientët me kancer te gjirit per planifikimin e kirurgjise dhe në ndjekjen postoperatore te tyre për diagnostikimin e rekurencave dhe kancerit të ri në gjirin tjetër. RM e gjirit rekomandohet sidomos per depistimin e grupit me rrezikshmeri te larte per kancer te gjirit sic jane pacientet me histori kanceri ne familje( nena,motra etj). Kjo metodë vjen për herë të parë dhe të vetme në Shqipëri në Spitalin Amerikan. Rezonanca Magnetike e gjithë trupit (whole body MR) është kontrolli i plotë i trupit nga koka deri tek gishti i këmbës duke përdorur sistemin modern TIM të RM dhe përdoret në zbulimin e metastazave në pacientët kur njihet fokusi primar malinj dhe anasjelltas, për të gjetur shkallën e përhapjes dhe lokalizimin e patologjive infiltrative të palcës së kurrizit, patologjitë infiltruese të palcës kockore, për të gjetur shkallën e perhapjes në sëmundjet muskulare si polimiozit dhe sëmundje të tjera sistemike, si alternativë e shintigrafise dhe PET-CT. Ky ekzaminim kryhet aktualisht vetëm në Spitalin Amerikan. Rezonanca Magnetike e zemrës Si duhet të përgatiteni për procedurën? Mund t’ju kërkohet të vishni një përparëse gjatë ekzaminimit ose mund t’ju lejohet të mbani veshur rrobat tuaja nëse ato janë të lirshme dhe nuk kanë kapëse metalike. Nëse nuk ju është këshilluar të veproni ndryshe, ju mund të vazhdoni më rutinën tuaj të përditshme dhe të merrni mjekimin tuaj si zakonisht. Disa ekzaminime të RM mund të kërkojnë që pacienti të pijë lëndë kontrasti ose t’i injektohet me rrugë intravenoze. Ju lutemi të vini në dijeni radiologun ose teknikun që do të kryejë egzaminimin për forma të mundshme alergjie siç mund të jenë urtikarie, astma alergjike, ose alergji nga ushqime apo medikamente të ndryshme. Megjithatë lënda e kontrastit e përdorur në egzaminimin e RM, i quajtur gadolinium, nuk përmban jodinë dhe ka pak mundësi për të shkaktuar reaksion alergjik. Radiologu gjithashtu duhet të dijë nëse keni ndonjë problem serioz me shëndetin dhe çfarë operacionesh keni kryer. Disa patologji, siç është sëmundja e veshkave dhe anemia drepanocitare (sickle cell anemia) mund të pengojë të kryeni RM me lëndë kontrasti. Gratë duhet të informojnë mjekun e tyre ose teknikun radiolog për ndonjë shtatëzani të mundshme. Për shkak se rreziku i ekzaminimit RM tek fetusi është i panjohur, rekomandohet që ky ekzaminim të kryhet vetëm në raste të domosdoshme. Nëse ju keni klaustrofobi (frikë nga hapësirat e mbyllura) ose ankth, ju mund të kërkoni nga mjeku juaj t’ju japë një qetësues të lehtë.
Bizhuteri dhe aksesorë të tjerë duhet të lihen në shtëpi nëse është e mundur, ose të hiqen para ekzaminimit me RM. Për shkak se mund të ndërhyjë me fushën magnetike të njësisë së RM-së, objektet metalike dhe elektronike nuk lejohen në dhomën e ekzaminimit. Këto sende përfshijnë: bizhuteri, ora, karta krediti ose aparate dëgjimi te cilat mund të dëmtohen nga fusha magnetike kapëse flokësh, zinxhirë metalikë dhe sende të tjera të ngjashme metali, të cilat ulin efektin diagnostikues te imazheve Proteza dentare të lëvizëshme stilolapsa, thika xhepi dhe syze
Në pjesën më të madhe të rasteve një ekzaminim RM është i padëmshëm për pacientët me implante metalike,me perjashtim të disa llojeve. Njerëzit me implantet e mëposhtme nuk mund të hyjnë në zonën e RM-së: implant defibrilator implant koklear (i veshit) klipse aneurizmatike Ju duhet t’i tregoni teknikut nëse keni pajisje mjekësore ose elektronike në trupin tuaj, për shkak se ato mund të prishin cilësinë e egzaminimit ose të paraqesin rrezik për jetën. Shembujt përfshijnë: valvulë artificiale të zemrës kateter infuzioni pajisje intrauterine (sterile) pajisje elektronike të implantuara si pacemaker kardiak proteza metalike të artikulacioneve ose anesive kapëse metali, vida, pllaka ose kllapa kirurgjikale.
Në përgjithësi, objektet metalike të përdorura në kirurgjinë ortopedike nuk paraqesin rrezik gjatë RM-së. Megjithatë, një proteze artikulare vendosur pak kohë më parë mund të kërkojë përdorimin e një procedure tjetër imazherie. Nëse ka ndonjë pikëpyetje për prezencën e tyre, duhet të bëhet një radiografi për të zbuluar prezencën e ndonjë objekti metalik. Punonjësit që merren me përpunimin e metaleve ose të tjerë që dyshohen për mbetje metalike në trupin e tyre mund të kenë nevojë për një ekzaminim radiografik përpara RM-së. Bojërat e përdorura për tatuazhe mund të përmbajnë hekur dhe mund të nxehen gjatë RM-së, por rrallë përbëjnë problem. Mbushjet e dhëmbëve dhe telat rrallë mund të preken nga fusha magnetike por ato dëmtojnë cilësinë e imazheve të zonës së fytyrës ose të trurit, kështu që radiologu duhet të vihet në dijeni për to.
Çfarë pamje ka pajisja e RM? Njësia tradicionale e RM është në formën e një tuneli cilindrik muret e të cilit përbëhen nga një magnet rrethor. Ju do të shtriheni në një tavolinë të lëvizshme ekzaminimi që rrëshqet në qendër të magnetit. Qendra kompjuterike që përpunon informacionin e imazhit është e vendosur në një dhomë të veçantë (dhoma e kontrollit).
Si funksionon procedura? Ndryshe nga ekzaminimet konvencionale me rreze x dhe tomografia e kompjuterizuar (CT), RM-ja nuk ka radiacion. Ajo përdor fushën magnetike e cila përfitohet nga rryma elektrike. Ndërkohë që ju rrini shtrirë brenda njësisë së RM-së, valët e radios drejtohen tek protonet në zonën e trupit tuaj që do të studiohet. Nën ndikimin e fushës magnetike, këto protone ndryshojnë pozicionin e tyre, duke prodhuar sinjale që kapen nga bobinat. Më pas një kompjuter përpunon sinjalet dhe prodhon një seri imazhesh secila prej të cilave tregon një shtresë të hollë të trupit që më pas përpunohen në pamje 3 dimencionale shumëplanëshe. Për shkak se protonet janë më të shumtë në molekulat e ujit, imazhet RM tregojnë diferenca në përmbajtjen e ujit në inde të ndryshme të trupit. Si rrjedhim, RM është veçanërisht e përshtatshme për të zbuluar çrregullimet në zonat e sëmura të trupit, për shembull, zonat e prekura nga tumoret, infeksionet dhe inflamacionet të cilat ndikojnë në prishjen e ekuilibrit të lëngjeve në qelizë dhe jashtë saj. Në përgjithësi, diferencimi i indeve anormale (të sëmura) nga indet normale është veçanërisht me i lehtë me RM sesa me modalitetet e tjera të imazherisë siç janë rrezet x, CT dhe ultratingujt.
Si zhvillohet procedura? Ju do të vendoseni mbi një tavolinë të lëvizshme ekzaminimi. Rripa dhe lidhëse mund të përdoren për t’ju ndihmuar të qëndroni pa lëvizur dhe të mbani pozicionin e duhur gjatë marrjes së imazheve. Pajisje të vogla të quajtura koile ose bobina, të afta për të dërguar dhe marrë valë radioje, mund të vendosen përreth zonës së trupit që do të ekzaminohet . Nëse do të përdoret një lëndë kontrasti në ekzaminimin e RM, një infermiere ose teknik do të vendosë një tub intravenoz (vigon) në venën e dorës apo krahut tuaj. Lënda e kontrastit ka për t’u injektuar nëpërmjet vigonit pas një seri skanimesh. Seri të tjera të imazheve do të merren pas injeksionit. Kur ekzaminimi të ketë përfunduar, mund t’ju kërkohet të qëndroni derisa mjeku radiolog të kontrollojë imazhet, në rast se do të nevojitet të marrë imazhe të tjera. Ekzaminimi i plotë zakonisht përfundohet brenda 30 minutave. Spektroskopia RM, e cila ofron informacion shtesë për metabolitet prezentë në qelizat e trupit, mundet të zhvillohet gjithashtu gjatë ekzaminimit RM dhe do t’i shtojë rreth 15 minuta kohës së ekzaminimit.
Çfarë provon pacienti gjatë dhe pas procedurës? Ekzaminimi me RM është pa dhimbje. Megjithatë, disa pacientë mund të mos rrinë dot pa levizur për sa kohë kryhet ekzaminimi. Të tjerët provojnë ndjenjën e të qenit mbyllur brenda (klaustrofobinë). Në raste të tilla mund të aplikohen qetësues apo anestezi për pacientët anksioze dhe femijët e vegjël. Është normale që pjesa e trupit që po ekzaminohet të ndihet lehtësisht më e ngrohtë, por nëse ju shqetëson, njoftoni radiologun ose teknikun. Është e rëndësishme që të qëndroni plotësisht pa lëvizur gjatë regjistrimit të imazheve, që zakonisht zgjat nga disa sekonda deri disa minuta çdo herë. Ju do të kuptoni se po regjistrohen imazhe sepse do të dëgjoni tinguj goditës nga aparatura. Ju do të mund të qetësoheni ndërmjet seancave të imazheve. Do të jeni vetëm në dhomën e ekzaminimit gjatë RM, megjithatë tekniku do të mund t’ju shohë, dëgjojë dhe flasë me ju gjatë gjithë kohës duke përdorur komunikimin me dy drejtime. Nëse dëshironi mund t’ju lejohet një mik ose i afërm të qëndrojë me ju në dhomë gjatë egzaminimit. Ju mund të kërkoni kufje për të kufizuar zhurmën e aparaturës gjatë skanimit. Aparatura jonë e RM është me e pajisur me ajër të kondicionuar dhe e ndriçuar mirë. Gjithashtu është e pajisur me muzikë për t’ju ndihmuar të kaloni kohën dhe të mos dëgjoni zhurmat. Kur injektohet lënda e kontrastit, është normale të ndjeni ftohje dhe një rrjedhje për një ose dy minuta. Agia intravenoze mund t’ju shkaktojë parehati kur vendoset dhe kur hiqet, mund të keni edhe mavijosje. Nëse nuk keni marrë qetësues apo anestezi, nuk është e nevojshme të qëndroni pas egzaminimit për të marrë veten. Ju mund ti ktheheni rutinës së përditshme menjëherë pas egzaminimit. Pak pacientë mund të kenë efekte anësore nga lënda e kontrastit, siç mund të jenë të përzierat dhe dhimbja lokale. Shumë rrallë, pacientët janë alergjikë ndaj materialit të kontrastit dhe kanë urtikarie dhe kruarje të syve. Rekomandohet që nënat që ushqejnë me gji fëmijët, të mos e bëjnë një gjë të tillë për 36 deri 48 orë pas RM me lëndë kontrasti.
Avantazhet e RM Rezonanca Magnetike është një teknikë jo-invazive e imazherisë që nuk përfshin ekspozimin ndaj radiacionit. Imazhet e RM të trurit dhe strukturave të tjera kraniale janë më të qarta dhe më të detajuara se me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën RM një mjet të pazëvendësueshëm në vlerësimin e shumë patologjive te trurit, përfshirë dhe tumoret. RM gjithashtu jep informacion funksional (fRM) të zonave të ndryshme të trurit. RM mundëson zbulimin e patologjive që maskohen nga kocka me metodat e tjera të imazherisë. RM është ekzaminimi më i ndjeshëm për tumoret e trurit. Angiografia RM (ARM) jep imazhe të detajuara të enëve të gjakut në tru – pa nevojën e lëndës së kontrastit. RM e indeve të buta të trupit – siç është zemra, mëlçia dhe shumë organe të tjera – kanë një ndjeshmëri të madhe për të identifikuar dhe karakterizuar patologjitë dhe lezionet lokale në krahasim me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën IRM një mjet të pazëvendësueshëm në diagnostikimin e hershëm dhe vlerësimin e shumë lezioneve fokale dhe tumoreve. RM është provuar si metoda më e vlefshme në diagnostikimin e shumë patologjive përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut dhe ato të sistemit muskuloskeletal . RM jep informacion të detajuar jo vetëm për strukturën e një organi po edhe për funksionin e tij. RM- MRCP i lejon mjekut të vlerësojë tëmthi, pankreasin dhe rrugët hepatobiliare në mënyrë jo-invazive dhe pa injektim kontrasti.
RM ofron një alternativë të shpejtë, joinvazive për diagnostikimin e problemeve të zemrës dhe gjithë sistemit kardiovaskular . Lënda e kontrastit e përdorur në ekzaminimet e RM ka më pak mundësi të prodhojë reaksione alergjike sesa kontrastet me bazë jodine të përdorura në radiografinë konvencionale më rreze x dhe CT.
Kufizimet Razonanca Magnetike nuk paraqet ndonjë rrezik për pacientin kur ndiqen udhëzimet përkatëse të sigurisë. Nëse përdoret qetësuesi, mund të ketë rrezik për mbidozë të qetësuesit. Teknologu ose infermierja monitorojnë shenjat tuaja të jetës për të minimizuar rrezikun. Megjithëse fusha e fortë magnetike nuk është e dëmshme në vetvete, pajisjet mjekësore që përmbajnë metale mund të keq-funksionojnë ose të shkaktojnë probleme gjatë një ekzaminimi RM. Ka një rrezik shumë të vogël për reaksion alergjik nëse injektohet lende kontrasti. Reaksione të tilla janë zakonisht të lehta dhe kontrollohen mirë nga medikamentet. Ka gjithashtu një rrezik të vogël për infeksion në vendin e injektimit. Fibroza nefrogjenike është aktualisht nje komplikacion i rrallëi RM që mendohet të shkaktohet nga injektimi i disa (por jo të gjitha) kontrasteve të RM në pacientë me funksionim të dobët të veshkave.
Cilat janë kufizimet e Rezonancës Magnetike? Imazhet e cilësisë së lartë arrihen vetëm nëse mundet të qëndroni plotësisht pa lëvizur kur regjistrohen imazhet. Nëse jeni në ankth, konfuzë apo keni dhimbje të mëdha mund të jetë tepër e vështirë për të qëndruar plotësisht pa lëvizur gjatë marrjes së imazhit. Një person që është tepër obez, mund të mos hyjë në hapësirën e makinerisë se RM. Prezenca e një implanti ose objekti metalik shpesh e bën të vështirë të merren imazhe të qarta dhe lëvizjet e pacientit mund të kenë të njëjtin efekt. Frymëmarrja mund të dëmtojë cilësinë e imazheve gjatë RM së gjoksit, abdomenit dhe pelvisit. Në këto raste do t’ju kërkohet të mbani frymën disa herë. Kontrolli i mushkërive është i kufizuar. Zbulimi i kalciumit (në tumore dhe inde të tjera) është i kufizuar ne RM. RM mund të kërkojë më shumë kohë në krahasim me modalitetet e tjera të imazherisë.
| KATARAKTA | Katarakta (ose siç njihet, perdja) është opacifikimi i kristallinit.
Kristalini (lens) është një lente natyrale, me ndërtim fijezor që shërben për të fokusuar imazhin në retinë. Kjo e fundit përpunon informacionin vizual dhe ia transmeton trurit nëpërmjet rrugëve optike, duke realizuar shikimin. Kristalini normal, është një strukturë fijezore transparente. Ai vendoset në pjesën e brendshme të syrit prapa irisit. Me kalimin e moshës, fibrat e kristalinit fillojnë të bashkohen me njëra- tjetrën dhe të zhvendosen për në qendër, ky proces sjell opacifikimin (uljen e tejdukshmërisë) së tij, pra formimin e perdes me pasojë uljen e pamjes. Kjo njihet me emrin katarakta (perde). Përveç kataraktit të moshës së rritur, që shfaqet pas moshës 50- 60 vjeçare, ekzistojnë edhe lloje të tjera të katarakta-s: - katarakta sekondare, në prani të sëmundjeve të tjera si diabetit, uveitit, etj. - katarakta ei lindur (kongjenitale) në fëmijë të vegjël apo juvenile (tek të rinjtë) - katarakta traumatike pas goditjeve të syrit, që ka një zhvillim më të shpejtë nga katarakta-t e zakonshwm - katarakta pas ndërhyrjeve për shkolitjen e retinës dhe injektimit të vajit silic
Tipat e ndryshëm të katarakta-ve kanë të njëjtin trajtim, atë kirurgjikal. Nuk ekziston asnjë trajtim mjekësor që të mund të shërojë katarakta-n.
SHENJAT FUNKSIONALE - Shikim i turbullt që shoqëron gjatë gjithë ditës, në pamjen larg dhe afër (gjatë drejtimit të makinës, leximit të librit, shikimit të televizorit, etj). - Shfaqja e miopisë (shfaqja e numri të syzeve minus në mosha të mëdha) ose eliminimi i nevojës për syze gjatë leximit).
Mjeku oftalmolog: Është ai që diagnostikon katarakta-n Ndjek zhvillimin e saj. Propozon momentin e ndërhyrjes kirurgjikale Ndjek ecurinë post –operatore
Operacioni i katarakta-s: Pas një incisioni të vogël sipërfaqësor (prej 4- 5 mm), bërthama e kristalinit të opacifikuar (perdes) goditet me ultratinguj, lëngështohet dhe thithet me anë të sondave, duke lënë sakusin e tij të paprekur. Kristalini i hequr zëvendësohet me lentën artificiale, fuqia e të cilit matet përpara operacionit me anë të ekografisë okulare. Kjo lente qëndron përgjithmonë në brendësi të syrit. Në pjesën më të madhe të rasteve operacioni i katarakta-s nuk paraqet komplikacione dhe rikuperimi i pamjes është i menjëhershëm në ditët e para pas operacionit. Gjithsesi ai i bindet rregullit të përgjithshëm të sallës së operacionit, sipas së cilës nuk ka kirurgji pa risk. Frekuenca e këtyre komplikacioneve llogaritet të jetë midis 1-4 %. Komplikacionet e rënda janë: Infeksioni Hemorragjia intraokulare Shkolitja e retinës
Komplikacione të tjera më pak të rënda janë: Rënie e pjesshme e kapakut të sipërm Prania e mizave të lëvizshme përpara syve Ndjeshmëri e rritur ndaj dritës Inflamacion (skuqje) e syrit Rritja e tensionit intraokular.
Ndjekja post-operatore realizohet nga mjeku oftalmolog: Syri mbahet i mbyllur deri ditën e nesërme me fashë. Mjekimi post-operator konsiston në përdorimin e kolireve me pika për mjekimin e syrit për një periudhë afërsisht 2-3 javore. Nëse është e nevojshme, pas një muaji, bëhet edhe korrigjimi i përshtatshëm me syze për të rritur në maksimum shikimin. Përmirësimi i pamjes është i ndjeshëm qysh në ditët e para pas operacionit. Rikuperimi i pamjes varet në masë të konsiderueshme nga gjendja e retinës dhe nervit optik. Ekzistenca e sëmundjeve që dëmtojnë këto struktura si glaukoma, diabeti, retinitis pigmentoz, plakja e syrit e lidhur me moshën, dëmtimet e mëparshme traumatike kufizojnë rikuperimin e pamjes. Disa muaj apo vite pas operacionit mund të ndodhë ulje e pamjes për shkak të veshjes së faqes së prapme të lentes me një membranë fine. Kjo quhet “katarakta sekondare” dhe trajtimi i saj konsiston në goditjen dhe çarjen e membranës me laser, procedurë e thjeshtë dhe e padhembshme, që realizohet në dhomën e ekzaminimit.
| CT KARDIAKE - Ca SCORE DHE KORONAROGRAFIA CT |  ÇFARË ËSHTË CT KARDIAKE?
CT KARDIAKE është një metodë joinvazive ekzaminimi, që kryhet me skaner modern me shumë detektorë të pajisur me programe të posaçme, pa komplikacione , e shpejtë e cila tregon në mënyrë të detajuar jo vetëm arteriet koronare por edhe jep një informacion të detajuar për anatominë e zemrës dhe enëve vaskulare të kraharorit. Gjithashtu me programe të veçanta të cilat mund të kryhen vetëm me aparaturat moderne të CT me shumë detektorë, si Somatom Sensation 64, është i mundur edhe vlerësimi funksional i zemrës në mënyrë dinamike duke bërë matje të ngjashme me ato të ekos së zemrës. Përveç kësaj, me CT KARDIAKE, ndryshe nga koronarografia invasive, është i mundur edhe diagnostikimi i patologjive të tjera të kraharorit.
PËR ÇFARË PËRDORET CT KARDIAKE?
1. Ca SCORE CT Kardiak është ekzaminim joinvaziv që eksploron lokalizimin dhe shtrirjen e pllakave të kalcifikuara në arteriet koronare; enët e gjakut që ushqejnë muret e zemrës. Pllakat përbëhen prej yndyrnave dhe substancave të tjera, përfshirë kalciumin, të cilat me kalimin e kohës ngushtojnë arteriet deri në bllokimin total të tyre, gjë që manifestohet me dhimbje anginoze në gjoks. Meqenëse kalciumi është tregues i sëmundjes së arterieve koronare, sasia e kalciumit që detektohet në këtë ekzaminim është një provë diagnostike me vlerë. Gjetjet në CT Kardiake klasifikohen në formën e vlerave të calcium score. Qëllimi i këtij ekzaminimi dhe marrja e këtyre vlerave është të diagnostikojë sëmundjen e arteries koronare që në fazat e hershme kur i sëmuri nuk ka shenja klinike dhe të përcaktojë gradën e sëmundjes koronare. Është ekzaminim kontrolli që mund të rekomandohet nga mjeku për të sëmurët me faktorë të lartë rreziku për të zhvilluar sëmundjen koronare të cilët nuk paraqesin shenja klinike. Ky ekzaminim indikohet më shpesh për burrat mbi 45 vjeç dhe gratë mbi 55 vjeç dhe pas menopauzës. Disa të sëmurë, për të diagnostikuar sa më herët sëmundjen e arterieve koronare, me dëshirën e tyre kanë kërkuar këtë ekzaminim pavarësisht se mjeku i tyre nuk ja ka rekomanduar. Faktorët madhorë të rrezikut për sëmundjen e arterieve koronare, përveç moshës, janë: • Niveli mbi normë i kolesterolit • Histori familjare për sëmundje koronare • Diabeti • Hipertensioni • Pirja e duhanit • Mbipesha dhe obeziteti • Jeta sedentare
Mungesa e kalcifikimeve brenda arterieve koronare tregon që pllakat aterosklerotike janë minimale dhe mundësia për të zhvilluar sëmundje koronare pas 2-5 vjetësh është shumë e vogël. Kur kalcifikimet janë evidente do të thotë që sëmundja koronare është prezente, pavarësisht nëse pacienti ka apo jo shenja klinike. Calcium Score - Sasia e kalcifikimeve e shprehur me pikë parashikon rrezikun e mundshëm të infarktit të miokardit në vitet që pasojnë. Calcium Score Risku për sëmundjen e arterieve koronare 0 Shumë i ulët, < se 5 % 1-10 Minimal, < se 10 % 11-100 I ulët, risk minimal për sëmundje të koronareve 101-400 I moderuar, stenoza sinjifikante të mundshme Over 400 I lartë, sëmundje e arterieve koronare me propabilitet të lartë * Për këtë ekzaminim pacienti nuk ka nevojë për lëndë kontrasti intervenoz.
2. CT KORONAROGRAFI Diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve koronare tek ata pacientë që shfaqin simptoma të lehta apo me klinikë atipike. CTKG, jo vetëm na jep informacion për gradën e stenozës dhe karakterin e pllakave aterosklerotike që i shkaktojnë ato, por, duke na treguar në mënyrë të detajuar anatominë e zemrës, arrin të diagnostikojë variacionet dhe anomalitë e ndryshme koronare që mund të shkaktojnë simptoma atipike dhe të hedh dritë në rastet kur koronarografia me kateter mbetet e pamjaftueshme .
Sipas një studimi të bërë nga ACC (American College of Cardiology) 1/3 e pacientëve që pësojnë infarkt kardiak nuk kanë asnjë simptomë apo faktor rrezikshmërie të evidentuar më parë. Prandaj është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i sëmundjes koronare që në fazat e para. Rëndësia e CTKG në këtë pikë sa vjen edhe rritet duke u bërë një ndër metodat më të rëndësishme të diagnostikimit të hershëm të sëmundjes koronare në gjithë botën.
Me aparaturat moderne të tomografisë me shumë detektorë (64 det. e sipër) është e mundur nëpërmjet programeve të veçanta 3 dhe 4 D të bëhen matje specifike të ngjashme me ato të ekos së zemrës duke dhënë informacion edhe për funksionin e zemrës. Kështu mund të bëhen analiza funksionale e ventrikulit të majtë, matje volumetrike të dhomave të zemrës, funksioni i valvulave kardiake si dhe të jepet informacion për perfuzionin dhe viabilitetin e miokardit etj.
3. CTKG përdoret edhe në ndjekjen e pacientëve me by-pass e me stent, duke dhënë informacion të detajuar për funksionin e tyre dhe diagnostikuar stenozat e okluzionet e mundshme.
4. CTKG jep informacion edhe për strukturat e tjera kardiake si perikardium, aorta, arteriet dhe venat pulmonare dhe ato jokardiake si mediasteni, pleura, pulmonet të përfshira në ekzaminim duke diagnostikuar kështu edhe patologjitë e tjera të kraharorit.
Parapërgatitja e pacientit për këtë ekzaminim: • Nuk nevojitet parapërgatitje para këtij ekzaminimi. Mund të vazhdoni të përdorni preparatet tuaja, por duhet të mos konsumoni 4 orë përpara ekzaminimit pije që përmbajnë kafeinë (kafe, kola) apo cigare. Nëse numri i të rrahurave të zemrës rezulton mbi 70 rrahje/minutë, do t’ju jepet një preparat për të ulur frekuencën. • Objektet metalike si bizhuteri, syze, proteza dentare dhe karfica mund të ndikojnë negativisht gjatë ekzaminimit, prandaj nuk duhet ti keni me vete gjatë procedurës. • Femrat duhet të informojnë mjekun ose teknikun për mundësinë e ndonjë shtatzënie aktuale ose te mundshme.
Si realizohet ekzaminimi • Tekniku do t’ju pozicionojë në pozicionin korrekt në tavolinën e ekzaminimit. Gjatë ekzaminimit mund të përdoren jastëkë mbështetës të cilët ndihmojnë për të ruajtur pozicionin gjatë ekzaminimit. • Disa elektroda EKG-je do të vendosen për të regjistruar aktivitetin elektrik të zemrës. • Infermieri ose tekniku do t’ju vendos një vigon në venë. • Gjatë procedurës tavolina do të lëvizë brenda dhe jashtë aparaturës ndërkohë që lënda e kontrastit do të injektohet nëpërmjet shiringës automatike. • Do t’ju kërkohet disa herë të mbani frymën për disa sekonda. • Kjo procedurë zgjat përreth 5 minuta.
Pas ekzaminimit pacienti mund t’i kthehet rutinës së përditshme.
Imazhet e marra gjatë ekzaminimit do të përpunohen dhe komentohen nga mjeku radiolog dhe më pas do t’ju jepen të printuara në film dhe në CD së bashku me raportin diagnostik. INDIKACIONET E CT KARDIAKE 1. Pacientët me simptoma të sëmundjes koronare të cilët nuk janë kandidatë për koronarografinë me kateter 2. Pacientët me simptoma atipike të cilat kardiologu nuk mund t’i shpjegojë 3. Pacientët e moshës 40 vjeç e sipër me simptoma të lehta ose asimptomatikë por me tendencë për sëmundje koronare si hipertension, diabet, obezitet, hiperkolesterolemi, histori familjare etj. 4. Duke patur parasysh se 1/3 pacientëve që pësojnë infarkt kardiak nuk kanë asnjë simptomë apo rrezik paraprak, sugjerohet ekzaminimi me CTKG për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes koronare. 5. Pacientët me bypass apo stent koronare për ndjekjen e tyre postoperative 6. Sëmundjet kongjenitale (të lindura) të zemrës.
AVANTAZHET E CT KARDIAKE 1. Është një ekzaminim i shkurtër (5-10 min), joinvaziv, pa komplikacione e pa nevojë pergatitjeje paraprake. 2. Pacienti mund ti kthehet rutinës së përditshme menjëherë pas ekzaminimit. 3. Diagnostikon që në fazat e para sëmundjen koronare nëpërmjet matjes së sasisë së kalciumit në arterie kështu që mund të përdoret në check-up-in kardiak për parandalimin e IM. 4. Diagnostikon me saktësi deri në 95% stenozat e arterieve koronare edhe në degët më të vogla. 5. CTKG jep informacion të detajuar për anatominë e zemrës ndryshe nga koronarografia me kateter duke diagnostikuar variacionet malinje të arterieve koronare si origjina e LCA dhe RCA nga arteria pulmonale dhe vendosja interarteriale e tyre, “myocardial bridging”, fistulat koronare dhe anomalitë kongjenitale të zemrës si koartacioni i aortës, tetralogjia e Fallot etj. 6. CTKG përdoret në ndjekjen e by-passeve dhe stentave koronare pasi jep të dhëna të hollësishme për gjendjen e tyre, stenozat , okluzionet e mundshme si alternativë e koronarografisë invazive në ndjekjen e pacientëve postoperative. RREZIQET DHE KUFIZIMET E CT KARDIAKE • Gratë shtatzëna nuk duhet të kryejnë këtë ekzaminim. • Frekuenca e lartë kardiake dhe aritmitë mund të ndikojnë negativisht në rezultatin e ekzaminimit. Veshkat Veshkat janë organe çift, të vendosura në të dy anët e shtyllës kurrizore në pjesën e pasme të hapësirës abdominale me shtrirje nga vertebra e 12 torakale deri tek ajo e 3 lumbare. Ato janë pjese e aparatit urinar, i cili fillon me to dhe vazhdon me ureteret që transportojnë urinën e prodhuar drejt fshikëzës së urinës. Ky aparat përfundon me uretrën që nxjerr urinën e grumbulluar në ambientin e jashtëm.
Veshkat luajnë një sërë funksionesh të rëndësishme: Rregullojnë balancën e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak, si: sodiumin, potasin, fosforin dhe kalciumin; eliminojnë një sërë toksinash nga trupi jonë; çlirojnë disa hormone në gjak të cilat marrin pjesë në rregullimin presionit të gjakut; nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.
Sëmundjet e veshkave Sëmundjet që prekin veshkën janë të shumta (akute ose kronike), mund të jenë të fituara gjatë jetës apo të trashëguara. Ndër to përmendim: infeksionet e aparatit urinar, glomerulonefritet, kalkulozat, nefropatite, tumoret. Aparati urinar preket dhe nga një sërë malformacionesh, të cilat kanë një incidencë rreth 2-3% të foshnjave të lindura. Ndër këto anomali më të shpeshtat janë reni polikistik dhe refluksi veziko-ureteral. Nuk duhet harruar se veshkat preken në mënyrë sekondare dhe nga sëmundje që prekin organet e tjera. Me rendësi të veçantë është diabeti i sheqerit. Për sa i përket shenjave të përgjithshme të sëmundjeve renale duhet thënë se ato kanë një spektër të gjerë. Fillimi i tyre shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të bujshme për pacientin, dhe ai i konsideron pjesë të normalitetit të tij të përditshëm.
Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: 1-Ndryshime të sasisë së urinës -urinim të shpeshtë mbi 4-5 herë në ditë që vihet re gjatë infeksioneve urinare, prostatiteve, vezikës neurologjike, -urinim me dhimbje dhe ose djegie, që vihet re gjatë infeksioneve urinare prostatiteve, gurëve. -urinim gjatë natës që është shenjë e insuficiencës renale kronike dhe insuficiencës kardiake; -urinim në sasi të shtuar që vihet re gjatë pielonefritit, insuficiencës renale kronike në fazën fillestare; -urinim në sasi të pakët nën 300ml në 24 orë të cilin e shohim gjatë insuficiencës renale akute dhe kronike; -përmendim këtu dhe enurezen që është urinimi i pavullnetshëm gjatë gjumit e cila është normale deri në moshën 5 vjeç. 2-Ndryshime të ngjyrës së urinës: -hematuri që nënkupton prezencën e rruazave të kuqe të gjakut në urinë. Në normë ato duhet të jenë 1-5 rruaza për fushë. Hematuria mund të jetë mikroskopike, e padallueshme me sy ose makroskopike, që shihet me sy të lirë. Hematuria mund të jetë shenjë e glomerulonefriteve, pielonefriteve, gurëve, tumoreve, traumave. Ajo mund të jetë pasojë e përdorimit të disa medikamenteve, si psh antikoagulantët që përdoren për hollimin e gjakut apo të disa antibiotikeve. -piuria nënkupton prezencën e pusit (qelb) në urinë dhe vihet re gjatë pielonefriteve, cistiteve, gurëve, prostatiteve. 3-Dhimbje të cilat mund të paraqiten si dhimbje mesi të lehta, rënduese deri në kolika renale, e cila përshkruhet nga pacienti si dhimbje e fortë që nuk qetësohet në ndonjë pozicion të veçantë. 4-Edema që mund të jenë edema orbitale, rreth syve, vihen re gjatë infeksioneve urinare apo edema të anësive të cilat janë shenjë e glomerulonefriteve. 5-Dhe shenja të tjera të përgjithshme, si: nausea, të vjella, marrje mendsh, dhimbje koke, dobësi trupore, pafuqi, çrregullime të shikimit, të kruara, humbje peshe.
Sëmundjet renale mund të shfaqen në çdo moshë, por sëmundje të veçanta shfaqen më tepër në dekada të caktuara të jetës. Në moshën pediatrike duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë diagnostikimit të hershëm të refluksit vesiko-ureteral (kthimi i urinës nga fshikëza e urinës në veshkë), të sëmundjeve të trashëguara, infeksioneve të rrugëve urinare dhe sindromit nefrotik. Mbas dekadës së dytë ka një frekuencë të rritur të glomerulonefriteve, të infeksioneve urinare, të dëmtimit të veshkave, si pasojë e sëmundjeve të tjera kronike (diabet, hipertension, etj) apo nga perdorimi abuziv i medikamenteve në sëmundjet reumatizmale, neoplazite.
Epidemiologjia e sëmundjeve të veshkave Shkaku i sëmundjeve të veshkave shpesh mbetet i panjohur. Sipas të dhënave nacionale, glomerulonefriti kronik është shkaktar në 12-15% të rasteve, infeksionet urinare kronike në 25%, sëmundjet e trashëguara dhe kryesisht polikistoza renale në 17% dhe nefropatia diabetike në 20% të rasteve tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave. Hipertensioni, shpeshtësia e të cilit është gjithmonë në rritje në vendin tonë, mbetet gjithashtu një shkak kryesor në shfaqjen e insuficiencës renale, sidomos në moshat e rritura. Vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të të sëmurëve me insuficiencë renale, si pasojë e diabetit. Insuficienca renale kronike është një humbje progresive e funksionit të veshkave deri në humbje të plote të tij, që shoqërohet me rritje të vlerave të azotemisë dhe kreatinemisë. Është vënë re se ndërsa infeksionet urinare kanë një shpeshtësi gjithmonë në ulje në vendet e zhvilluara, në vendin tonë ato zënë ende një vend të rëndësishëm dhe mbetet një nga shkaqet kryesore të insuficiencës renale kronike.
Duhet pasur parasysh se sëmundje si, nefropatia diabetike, hipertensioni arterial, pielonefritet kronike, glomerulonefritet kronike, polikistoza renale janë shkaqet kryesore të insuficiencës renale kronike.
Një pacient me humbje të fuksionit renal ka tre alternativa kryesore trajtimi: 1. HEMODIALIZA që nënkupton filtrimin, pastrimin e gjakut nga toksina dhe eliminimin e ujit të tepërt nëpërmjet një aparati që është një veshkë artificiale. Parimi është i thjeshtë :gjaku i të sëmurit vihet në kontakt nëpërmjet një membrane filtruese që imiton atë të trupit tonë, me lëngun e dializës. Pastrimi i gjakut ndodh si pasojë e procesit të ultrafiltrimit dhe difuzionit të lëndëve nga një ambient ku kanë përqendrim të lartë në një tjetër me përqendrim më të ulet. Dializa është një procedurë që kryhet të paktën tre herë në javë dhe ku çdo seancë zgjat rreth 4 orë. 2. DIALIZA PERITONEALE Në këtë rast pastrimi i gjakut kryhet në hapësirën e barkut, ku pasi është futur një kateter i përhershëm, hidhet një sasi likuidi dializues dhe mbahet për të paktën 4 orë. Më pas procedura fillon nga fillimi dhe vazhdon po kështu gjatë gjithë ditës. 3. TRANSPLANTI RENAL si alternativa më e rëndësishme dhe më e mirë për pacientin. Transplanti renal përmirëson dukshëm cilësinë e jetës. Për kryerjen e transplantit në vendin tonë është e rëndësishme të kihet parasysh se fillimisht nevojitet një donator, i cili duhet të jetë pjesëtar i familjes dhe të kemi në përputhshmëri të donatorit me marrësin. Përputhshmëria përcaktohet pas një sërë testesh për grupin e gjakut dhe sistemin gjenetik. Pasi vendoset nëse donatori me marrësin janë të përputhshëm kalohet në etapën tjetër të transplantit të veshkës së shëndoshë tek pacienti. Pacientët e transplantuar më pas marrin një terapi me medikamente, të cilat ulin forcat imunitare për të mos lejuar kështu organizmin të luftojë organin e transplantuar. Këto medikamente vazhdojnë përgjatë gjithë jetës, pavarësisht se dozat e tyre mund të luhaten, por është i rëndësishëm fakti se pacientët nuk duhet të harrojnë asnjëherë të marrin medikamentet e tyre dhe nëse harrojnë duhet të kontaktojnë me mjekun e tyre. Në spitalin tonë transplanti renal është kryer për herë të parë në nëntor të vitit 2007 dhe vazhdon të kryhet me sukses në saj të bashkëpunimit me ekipin turko-shqiptar.
Profilaksia e sëmundjeve të veshkave Për të parandaluar sëmundjet renale duhet pasur parasysh se të gjithë ne duhet të bëjmë një ekzaminim të thjeshtë të urinës të paktën një herë në 6 muaj, në kuadrin kjo të një kontrolli të përgjithshëm që duhet të bëhet rutinë. Pacientët me infeksione urinare kronike duhet të kryejnë kontrolle më të shpeshta, një herë në 3 muaj, të mbajnë një dietë të caktuar, të pinë lëngje shpesh gjatë ditës, dhe të urinojnë gjithmonë përpara se të flenë. Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glikemisë dhe të kenë kujdes me dietën. Po kështu dhe pacientët hipertensiv duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike. Pacientët me insuficiencë renale kronike duhet të kryejnë kontrolle të shpeshta tek mjeku nefrolog, të paktën një herë në tre-katër muaj, duke bërë dhe një bilanc të përgjithshëm për të parë ecurinë e sëmundjes. Në këtë mënyrë mjekimi i rregullt i tyre me medikamente nefroprotektore do të ngadalësojë progresionin e sëmundjes.
Gjithashtu pacientët e transplantuar duhet të ndiqen në mënyrë të rregullt nga mjeku nefrolog për të vlerësuar efikasitetin e trajtimit si dhe për të vlerësuar efektet anësore të terapisë me imunosupresorë. Pra, si përfundim secili nga ne duhet t’i kushtoj rëndësi aparatit të tij urinar duke bërë një kontroll të paktën një herë në 6 muaj dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh jo vetëm ato renale.
| | |
|